Partitë ndezin motorët në diasporë
Partitë kosovare i kanë ndezur motorët nëpër diasporë. Muajt e fundit janë organizuar shumë takime me mërgimtarë nëpër shtetet e tyre.
Këtë vikend, Lumir Abdixhiku i LDK-së takoi kosovarët në Grenchen të Zvicrës, e Elmi Reçica i PDK-së mblodhi degën Bavarisë në Gjermani.
Në Amerikë udhëtoi Ramush Haradinaj i AAK-së. Atje është edhe Albin Kurti i VV-së, por në cilëinë e kryeministrit të Kosovës. Takime do të mbajë edhe me komunitetin shqiptaro-amerikan.
Politologu nga Suedia, Avni Dervishi, thotë se opozitarët morën mësim nga zgjedhjet e fundit nacionale ku shumica e votave i shkuan Vetëvendosjes. Por ka edhe një anë negative.
“Pozitive është se kanë mësuar nga gabimet e veta, dhe nuk është periudhë parazgjedhore, nuk e kanë për vota. Negative është nëse sjell polarizime sikur përpara në Diasporë, për shkak të partive politike në Kosovë, ajo është gabim”, thotë Dervishi, njofton Klan Kosova.
Kurse Indira Kartallozi që jeton në Angli thotë se partitë po bëjnë garë takimesh në diasporë.
“Po, janë duke e parë kapacitetin e diasporës, dhe janë në një mënyrë duke bërë garë kush po organizon takime më shumë”, shprehet ajo.
Të dy kritikojnë politikanët për mosvlerësim të duhur komunitetit të mërgimtarëve.
Rreth 103 mijë mërgimtarë kanë pasur të drejtë vote në zgjedhjet e fundit.
