Paraburgim ndaj të pandehurve që u përfshinë në dhënie ryshfeti në një autoshkollë në Viti

Gjykata vendos masën e paraburgimit të  pandehurve, pasi që të njëjtit dyshohet të kenë kryer veprën penale “marrje ryshfeti në bashkëveprim”

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurve N. H. dhe V. B.

“Ekziston dyshimi bazuar se i pandehuri N. H. pronar dhe instruktor i vozitjes në autoshkollë në Viti, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, me dashje të drejtpërdrejtë është përfshirë në marrje të ryshfetit, në atë mënyrë para 2-3 muajve takohet me kandidatin M. S. dhe nga ai në emër të regjistrimit për marrje të patentë shoferit merr 300 €, e më pas aty arrin marrëveshje që me rastin e kalimit të testit me shkrim kandidati, t’ia japë edhe 400 €, ku më datën 02.02.2023, kandidati ka pasur t’i nënshtrohet testit teorik për leje të vozitjes”, thuhet në komunikatën e kësaj gjykate.

Sipas Gjykatës Themelore në Gjilan, të njëjtën ditë kandidati paraprakisht është takuar me të pandehurit, më ç’rast i pandehuri e merr të njëjtin me veturën e tij e dërgon në një shtëpi, së bashku me L. P. (në arrati) dhe V. B. (instruktor), ia vendosin pajisjet ilegale montuese (kamera e mikrofon) në trup dhe vesh, pasi kandidati hyn në test, zihet nga vëzhguesit e testit, me ç’rast edhe kontrollohet me detektor, e pas kontrollimit pajisjet ilegale montuese gjenden në trupin e tij.

“Me këto veprime të pandehurit N. H. dhe V. B. dyshohet të kenë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit në bashkëveprim”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).  Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, duke i marr për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, përfundon njoftimi i gjykatës.

Go to TOP