Para një viti thoshte se po feston Serbia, sot Kurti asnjë fjalë për një-vjetorin e shkuarjes së Selimit në Hagë

Rexhep Selimi, njëri nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po gjykohet në Hagë pasi më 26 tetor 2020 ndaj tij u konfirmua akuzat për krime të supozuara lufte e krime kundër njerëzimit.

Për një-vjetorin e shkuarjes së Selimit, bashkë me ish-krerët e UÇK-së për në Hagë që po akuzohen për krime lufte, kryeministri Albin Kurti dhe ish-bashkëpartiakët e ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje kanë zgjedhur heshtjen.

Përpjekja e fundit politike e Kurtit për Selimin regjistrohej gjatë kohës sa ai nuk ushtronte funksionin e kryeministrit. Kurti, në një letër që mbante datën e 1 dhjetorit, tre muaj përpara se ai të zgjedhej kryeministër i vendit, kishte kërkuar nga gjyqtari i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou, lirimin me kusht të ’10’-shit të VV-së.

Rexhep Selimi si qytetar dhe shtetas i Kosovës ka treguar respektin maksimal dhe ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjet dhe rregullat e Republikës së Kosovës. Çdo pretendim i ngritur lidhur me faktin që ai mund ta paraqes rrezik të ikjes bie ndesh me karakterin e Rexhepit dhe përvojën tonë. Për të gjithë ata që e njohin Rexhepin (përfshirë edhe mua) është e paimagjinueshme që ai mund të kryejë një veprim të tillë”, thuhej në letrën e Kurtit.

“Mbetem me shpresë që ju si gjyqtar do të merrni në konsideratë gjithë vlerësimin për karakterin dhe integritetin e Rexhepit kur të gjykoni mbi kërkesën e tij për lirim me kusht”, përfundonte letra, e cila nuk u mor parasysh më vonë nga përgjegjësit e gjyqit Special të Hagës.

Megjithatë, një vit më parë, pas konfirmimit të aktakuzës së Selimit nga Specialja, Kurti përdorte fjalë të mëdha dhe e lidhte shkuarjen e ish-deputetit të VV-së Hagë me rast feste në Serbi.

“E dimë që sonte janë gëzuar udhëheqja e Serbisë, me presidentin e tyre në krye, dikur ministër i Milosheviqit, e që në botë shtiret si djalosh joproblematik. E dimë që është gëzuar edhe Kryetari i Kuvendit të Serbisë, dikur zëdhënës i partisë së Milosheviqit, meqë neve na e arrestuan zëdhënësin e UÇK-së i cili ishte edhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës kur u shpall pavarësia. E dimë që sonte festohet në Beograd, sepse e kishin tmerr Rexhën para e gjatë luftës teksa vëllain Asllanin ia mbanin peng në burgjet e Serbisë. E dimë. Por, nuk do t’u zgjasë fort kjo festë, sepse Republika e Kosovës nuk kthehet prapa e shqiptarët po bëhen komb i barabartë me të tjerët”, deklaronte kreu i VV-së.

Por, ish-krerët e tjerë të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, janë përkujtuar nga ish-bashkëpunëtorët e tyre politik. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur krenar me veprën e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe të ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së që po mbahen në paraburgim.

“Kosova është pafundësisht krenare me djemtë e saj patriotë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, e me shokët e tyre çlirimtarë, që bashkë me gjithë popullin, ndërruan epoka dhe shkruan rrëfimin e jashtëzakonshëm e madhështor të mosnënshtrimit, të lirisë dhe të pavarësisë. E do ta shkruajnë edhe fitoren e kësaj beteje të fundit, për t’u kthyer në shtëpi si heronj”, ka shkruar Krasniqi në postimin e tij në ‘Facebook’.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, për një-vjetorin e dërgimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, shkoi në vizitë tek nëna e ish-presidentit Thaçi. “Sot në Burojë, me nanën Hyrë” shkroi Çitaku në facebook.

Gjykata Speciale në Hagës për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, në tetor të vitit të kaluar konfirmoi aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999. Të gjithë ata janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Go to TOP