Osmani takon Ministren e Jashtme të Finlandës në Helsinki: Mirënjohje për mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën euroatlantike
Gjatë vizitës së saj zyrtare në Helsinki, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.
Në një postim në rrjete sociale, Presidentja Osmani e ka cilësuar Valtonen si një “mike të çmuar të Kosovës” duke e falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme të Finlandës në proceset kyçe për Kosovën.
“E falënderova për mbështetjen e fuqishme të Finlandës në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, si dhe ritheksova përkushtimin e thellë të Kosovës për forcimin e partneritetit tonë ndërshtetëror”, ka shkruar Osmani.
Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve të Presidentes për thellimin e bashkëpunimit me vendet partnere dhe rritjen e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën në arenën globale. /Kosova.info/
