Osmani publikon fotografi nga premiera e filmit “Zgjoi” në ShBA: Një natë në mes të yjeve të Kosovës sonë të dashur!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë (e mërkurë) ka qenë e pranishme në premierën e filmit kosovar “Zgjoi” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani ka publikuar disa fotografi nga nata e mbrëmshme ku shihet krah artistes shqiptare me famë botërore, Dua Lipës, aktores Yllka Gashi, regjisores Blerta Basholli dhe Fahrije Hotit.

Ajo këtë natë e ka cilësuar si të mbushur me madhështi, talent, hijeshi e krenari.

Vjosa Osmani (Foto: Facebook)

“Një natë në mes të yjeve të Kosovës sonë të dashur”, ka nisur shkrimin Osmani.

“Sa shumë madhështi, talent, hijeshi e krenari me një vend. Kënaqësi e veçantë t’i bashkojmë forcat me Duan tonë për të përçuar në çdo cep të botës fjalën për suksesin e mesazhin human që përcjellë filmi i jashtëzakonshëm “Zgjoi”, i Blerta Bashollit i interpretuar me mjeshtëri nga Yllka Gashi dhe kasta e supertalentuar e aktorëve tanë”, vazhdon më tej ajo.

Një reagim rreth filmit e ka bërë edhe Lipa duke thënë se duhet të shikohet patjetër dhe se e meriton një çmim ‘Oscar’.

“Mbrëmë në shfaqjen e ‘HIVE (Zgjoi)’ – Një film i bukur i cili tregon historinë prekëse dhe frymëzuese të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës. Kjo histori lufte dhe këmbënguljeje është ajo që duhet treguar. Ajo flet për shpirtin e përvojës kosovare dhe shpresoj se mund të ndihmojë në shërimin kolektiv të familjeve që u ndanë dhe njerëzve që humbën të dashurit e tyre. Jam shumë krenare për atë që ka arritur Blerta Basholli – është një frymëzim i vërtetë. ‘HIVE’ përfshiu bordin e Sundance dhe mezi pres me shpresë që ta shoh atë të marrë një ‘Oscars’! Duhet të shikohet”, ka shkruar Lipa.

Filmi kosovar përndryshe ka korrë suksese të jashtëzakonshme duke u kthyer në një nga filmat më të pëlqyer vendor.

Go to TOP