Osmani pranon urime për Pavarësinë nga Mbreti Charles III, Macron, Steinmeier dhe Mattarella
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e letrave të shumta të urimit me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka pranuar mesazhe urimi nga liderë të lartë botërorë.
Mesazhe urimi i janë përcjellë nga Charles III, Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Frank-Walter Steinmeier, Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Emmanuel Macron, Presidenti i Republikës Franceze, si dhe Sergio Mattarella, Presidenti i Republikës Italiane.
Në letrat e tyre, liderët kanë përcjellë urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Republikës së Kosovës duke vlerësuar arritjet e shtetit ndër vite dhe përkushtimin për ndërtimin e institucioneve demokratike.
Ata kanë theksuar gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën, mbështetjen për integrimin euroatlantik të saj, si dhe angazhimin e përbashkët për paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon dhe më gjerë. /Kosova.info/
