Osmani ngushëllon për viktimat e sulmit në Oslo

Dy njerëz janë qëlluar për vdekje dhe 21 të tjerë janë plagosur në disa të shtëna në një klub nate dhe në një rrugë të afërt në qendër të kryeqytetit norvegjez, Oslo, ka thënë policia.

Për këtë ngjarje ka ngushëlluar popullin norvegjez presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Ngushëllimet dhe lutjet tona janë me viktimat, të dashurit e tyre dhe të gjithë ata që janë prekur nga të shtënat vdekjeprurëse në Oslo. Ky është një sulm i tmerrshëm ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut. Ne qëndrojmë me popullin e Norvegjisë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Këto të shtëna në Norvegji janë duke u hetuar si akt terrorist.

Sulmuesi ka nisur të shtënat me armë zjarri në orët e mesnatës në tri lokacione të ndryshme, përfshirë një bar të homoseksualëve.

I dyshuari është arrestuar dhe dy armët i janë konfiskuar.

Përveç barit të homoseksualëve, të shtënat janë dëgjuar edhe në një klub të muzikës jazz dhe në afërsi të tij.

Parada vjetore e Krenarisë, ishte planifikuar të mbahej të shtunën në Oslo, mirëpo organizimi është anuluar, sipas udhëzimeve të policisë.

Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Stoere, e ka quajtur sulmin “të tmerrshëm dhe shokues ndaj personave të pafajshëm”.

I dyshuari është person i njohur për shërbimet e sigurisë në Norvegji.

Go to TOP