Osmani: Lufta jonë ishte për liri, kjo është e vërteta e vetme

Ceremonia e fillimit të stërvitjes “Defender Europe 2023”  filloi me antonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe ShBA-së, nga orkestra frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Defender Europe 2023” drejtohet nga ushtria amerikane. Kosova është mikpritëse e mbi 1 mijë trupave. Ushtrimet do të kryhen në Bokë dhe aeroportin e Gjakovës.

Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, në fjalën e saj, tha se ka nderin që qëndron para ushtarakëve që janë gardian të paqes e lirisë në një botë gjithnjë më komplekse e sfiduese.

“Ju qëndroni të bashkuar nën kauzën e vetme, të përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin e rritur ndërveprimin midis forcave aleate”, tha Osmani-Sadriu.

Ajo tha se ky ushtrim është kujtesë se forca nuk qëndron vetëm në armë, por edhe lidhjet tona dhe aleancën e përbashkët.

Presidentja tha se objektivi kryesor i kësaj stërvitjeje është shfaqja e fuqisë ushtarake për të siguruar paqen.

Duke lidhur këtë stërvitje edhe me Skënderbeun, ku edhe po mbahet ceremoni e hapjes, ajo tha se ai ishte strategu dhe mbrojtësi i perëndimit.

“E krahas tij, është shtatorja e Ibrahim Rugovës, presidentit historik që ishte edhe arkitekti i pavarësisë sonë, vizioni i të cilit ishte i mishëruar në vlerat perëndimore e pro demokratike”, tha Osmani-Sadriu.

Ajo tha se kjo stërvitje përkon edhe me 24 vjetorin e  çlirimit të Kosovës.

“Është ditë aq e freskët sa edhe ndërhyrja e NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit. Ne ishim viktima e regjimi i Millosheviqit ishte agresori”.

Presidentja tha se lufta e Kosovës për liri. “Kjo është ë vërteta e vetme që do ta mbrojmë çdoherë e kudo”.

Ajo deklaroi se ushtarakët do ta kurorëzojnë angazhimin gjatë. “Le të shërbejë kjo stërvitje ndërkombëtare si triumf i shpirtit njerëzor dhe vullnetit të paepur të ushtarëve si ju”. /Kosova.info/

Go to TOP