Osmani: LDK dhe PDK bashkohen për zhvillim dhe mirëqenie
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka njoftuar arritjen e një koalicioni të madh mes LDK-së dhe PDK-së, që synon zhvillimin, mirëqenien dhe përparimin e qytetarëve të kësaj komune.
“Sot është arritur një marrëveshje e rëndësishme për të mirën e të gjithë qytetarëve të Fushë Kosovës – një bashkim që i thotë ‘PO’ zhvillimit dhe prosperitetit,” ka deklaruar Osmani.
Sipas tij, gjatë ditëve të fundit, dy degët lokale të LDK-së dhe PDK-së kanë punuar ngushtë në hartimin e planit qeverisës të përbashkët, në koordinim të plotë me qendrat e tyre politike. Rezultati i këtij bashkëpunimi është nënshkrimi i marrëveshjes për qeverisjen gjithëpërfshirëse, që do të udhëheqë komunën gjatë mandatit të ardhshëm.
“Kjo marrëveshje është shprehje e përgjegjësisë politike dhe e vullnetit të përbashkët për ta çuar Fushë Kosovën përpara, me një qeverisje moderne, transparente dhe në shërbim të qytetarëve,” ka theksuar kandidati Osmani.
Ky koalicion shihet si një hap i rëndësishëm drejt bashkimit të forcave politike për të garantuar stabilitet, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve në Fushë Kosovë. /Kosova.info/
