Osmani: Faleminderit qytetarëve të Fushë Kosovës, uroj fituesit të punojnë me ndershmëri e përkushtim
Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka reaguar pas përfundimit të balotazhit duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe besimin e treguar gjatë gjithë fushatës zgjedhore.
Në një mesazh plot mirënjohje, Osmani e ka përshkruar fushatën si një udhëtim të bukur dhe emocional, i cili ka treguar përkushtimin e qytetarëve për përparim dhe dashuri ndaj komunës së tyre.
“Nga zemra ju falënderoj secilin prej jush që më qëndroi pranë në këtë rrugëtim të bukur e plot emocione. Kjo garë ishte më shumë se një proces zgjedhor – ishte një udhëtim bashkë me njerëzit që duan përparim dhe më shumë dashuri për komunën tonë,” ka shkruar ai.
Edhe pse nuk arriti të fitojë garën për të udhëhequr Fushë Kosovën, Osmani tha se ndihet thellësisht mirënjohës për mbështetjen dhe përkushtimin e qytetarëve, aktivistëve dhe familjeve që e përkrahën gjatë gjithë procesit.
“Jam krenar për çdo aktivist, çdo familje dhe çdo qytetar që kontribuoi me shpirt e zemër,” ka shtuar ai.
Në fund të reagimit, Besnik Osmani ka uruar me sinqeritet fituesin e zgjedhjeve duke shprehur dëshirën që qeverisja e ardhshme të punojë me ndershmëri, përkushtim dhe rezultate konkrete që do t’i ndiejnë qytetarët në jetën e tyre të përditshme. /Kosova.info/
