Opozita: S’ka kuptim votimi i planit të punës, pozita të kthehet në Kuvend
Në mbledhjen e sotme Komisioni për Legjislacion, e thirru për të shqyrtuar raportet e Komisioneve kryesore për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve të veçanta për krijimin e bazës ligjore për nxjerrjen e akteve nënligjore nga Qeveria dhe Ministrat, si dhe planin e punës së këtij komisioni për sesionin vjeshtor, deputetët e pozitës dhe opozitës u përplasën mbi zhvillimet e fundit në vend.
Deputet e opozitës me gjithë vlerësimin që thanë se i bëjnë draft-planit të punës, thanë se nuk ka asnjë kuptim votimi i këtij plani, duke qenë se pozita nuk merr pjesë në seancat e opozitës.
“Në parlament të Kosovës askush më nuk e ka shumicën,as në seanca as në komisione,nuk pe shoh që ka vullnet politik,kam rezerva që mund të kalohet ndonjë ligj më në parlament, sepse po iket nga përgjegjësia,ndërhyrja e njerëzve mbi ligjin, përgjimet, ikja prej përgjegjësisë për ushqimin e ushtrisë,po më duket e paarsyeshme”, tha Hajdar Beqa.
Ndërsa, Driton Selmanaj nga LDK tha se Kuvendi me muaj të tërë e ka humbur funksionalitetin.
“Janë 6 muaj që Kuvendi s’po arrin me ju kthye normalitetit ,është plan ambicioz por i parealizueshëm, as Dejona nuk mund të kryej këtë plan”, tha Selmanaj.
E kryetari i komisionit, Adnan Rrustemi, duke prezantuar draft planin e punës, tha se ky plan synon të përmbushë agjendën e paraparë për këtë sesion,të fundit para zgjedhjeve.
“Asnjëherë plani i punës nuk është përmbushë në plotni,por megjithatë është përmbushur deri në një masë”, tha Rrustemi.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i’u përgjigj dy deputetëve të vetëm të opozitës, pjesëmarrës në mbledhjen e sotme.
“Është në vullnetin tonë se sa është i realizueshëm ky plan, për sa i përket pozitës, na po marrim pjesë por ju s’po votoni, është e kotë na me ardhë me u marrë me shpifje në Kuvend, me shpifje të Listës Serbe, unë sm’uj me ardhë me debatua a ka mbet pa bukë ushtria, por vij nëse flitet a ka mbet pa tenderë Ragip Zhaba”, tha Basha.
Në fund me 5 vota për, ta gjitha nga radhët e pushtetit u votua plani i punës, Driton Selmanaj i LDK-së votoi kundër ndërsa Hajdar Beqa, abstenoi.
Komisioni i kaloi edhe disa pika të tjera të rendit të ditës,mbi disa projektligje dhe amendamente.