Operacioni i antidrogës “Kolonia” vë në pranga tre persona të dyshuar dhe konfiskohet drogë në vlerë rreth 40 mijë euro
Policia e Kosovës përmes zyrtarëve të saj të njësive të antidrogës në luftën e pa kompromis kundër personave të dyshuar që merren me substanca të dyshuara narkotike dhe gjatë angazhimeve operative në teren ka siguruar informata të rëndësishme se disa persona në bashkëveprim janë duke u marr me shitblerje të substancave narkotike të llojeve të ndryshme.
Pas një pune hetimore disa mujore, me datë 14.09.2024 në rastin e koduar me emrin “Kolonia” Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik në Prishtinë) ka realizuar një operacion policor, ku fillimisht rreth orës 17:30 në rrugën e Pejës, më saktësisht afër rreth rrotullimit në Fushë Kosovë është ndaluar vetura Golf 7 me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari me iniciale (D.E.), dhe menjëherë është proceduar me operacionin, ku Policia ka shkuar në bastisje në banesën e tij në Fushë Kosovë dhe gjatë bastisjes/kontrollit janë gjetur dëshmitë apo provat materiale si në vijim:
- (17) paketime me bari ngjyrë të gjelbër të dyshuar për narkotik të llojit Marihuanë me peshë
(8) kilogram e (471.5) gram,
- (11) paketime të dyshuara për narkotik të llojit kokainë me peshë (59.3) gram,
- (92) tableta të dyshuara për narkotik të llojit Extazi me peshë (47.3) gram,
- (1) peshore digjitale e cila shërben për matjen në sasi të vogla dhe
- (4800) katër mijë e tetëqind euro para të gatshme që dyshohen që janë përfituar nga shitja e narkotikëve.
Në vazhdën e operacionit të lartcekur është realizuar kontroll në të njëjtën hyrje të objektit në një banesë tjetër pronë e të dyshuarit të dytë me iniciale (Sh. O.), ku gjatë kontrollit janë gjetur dëshmi tjera si më poshtë:
- (6) paketime me bari ngjyrë të gjelbër të dyshuar për narkotik të llojit Marihuanë me peshë (10.5) gram dhe
- (200) dyqind euro para të gatshme.
Operacioni antidrogë është finalizuar me lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit të tretë me iniciale (B.I.) dhe nga i njëjti është konfiskuar një automjet me targa vendore me të cilën dyshohej se është bërë transportimi i substancave narkotike.
Në vend të ngjarjes kanë dalë njësia e forenzikës Ragjionale në Prishtinë, të cilët kanë bërë fotografimin, evidentimin dhe konfiskimin e të gjitha dëshmive si provë materiale.
Të gjitha veprimet janë bërë në koordinim me Prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë Departamenti i krimeve të rënda dhe me urdhër të prokurorit pas intervistimit tre (3) të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Hetime tjera të antidrogës janë në proces në bashkëpunim me prokurorinë themelore në Prishtinë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në vendin tonë dhe në veçanti masa të ashpra ligjore po aplikohen dhe do të aplikohen ndaj personave të dyshuar të involvuar në abuzimin dhe shitblerjen e substancave të dyshuara narkotike-drogave në përgjithësi.
Inkurajojmë të gjithë qytetarët që kanë informata relevante të bashkëpunojnë sa më shumë me Policinë e Kosovës në parandalimin e rasteve të tilla dhe bashkërisht të krijojmë një ambient më të sigurt për të gjithë, në veçanti për rininë tonë. /Kosova.info/