OBSH: Varianti Omicron është regjistruar në 57 vende

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën se varianti Omicron është regjistruar në 57 vende dhe numri i pacientëve që do të kenë nevojë për trajtim në spital ka gjasa të rritet derisa varianti përhapet.

Sipas Reuters, OBSH në raportin e saj javor epidemiologjik, tha se nevojiteshin më shumë të dhëna për të vlerësuar ashpërsinë e sëmundjes së shkaktuar nga varianti Omicron dhe nëse mutacionet e tij mund të zvogëlojnë mbrojtjen nga imuniteti që rrjedh nga vaksina.

“Edhe nëse ashpërsia është e barabartë ose potencialisht edhe më e ulët se për variantin Delta, pritet që shtrimet në spital të rriten nëse infektohen më shumë njerëz dhe se do të ketë një vonesë kohore midis rritjes së incidencës së rasteve dhe rritjes së incidencës të vdekjeve”, thuhet në deklaratë.

Më 26 nëntor, OBSH deklaroi variantin Omicron, një variant shqetësues, i cili u zbulua për herë të parë në Afrikën Jugore. Është lloji i pestë i SARS-CoV-2 që mban një emërtim të tillë.

Go to TOP