Nurdin Ibishi pyetet për Enver Sekiraqën, del që ky i fundit kishte deklaruar se ka qenë i ndaluar

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka vazhduar dëshmia e Nuredin Ibishit, i cili është pyetur rreth Enver Sekiraqës. Ai deklaroi se e di që Sekiraqa është i arratisur nga drejtësia në Kosovë. Gjatë seancës u përmend se Sekiraqa pretendon se ka qenë i ndaluar gjatë periudhës së përfshirë në aktakuzë.

Ibishi dëshmoi se e njeh Sekiraqën si person problematik që prej viteve ’90 dhe se ai është në burg për një dënim penal. Avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra, e pyeti nëse ky rast lidhej me vrasjen e policit Triumf Riza, por përgjigjja e dëshmitarit nuk u dëgjua.

Shyamala i prezantoi Ibishit një artikull të botuar në vitin 2010, ku Sekiraqa përshkruhej si figura kryesore e krimit të organizuar në Kosovë dhe ishte në listën e të kërkuarve të Interpolit. Dëshmitari nuk e pranoi që ta cilësonte Sekiraqën si të kërkuar për krim të organizuar, duke lënë në dorë të drejtësisë një cilësim të tillë.

Në vijim të seancës, gjykatësi Guenaël Mettraux pyeti për qëllimin e prezantimit të artikujve, ndërsa Shyamala argumentoi se kishin rëndësi për të vlerësuar kredibilitetin e Sekiraqës. Gjykata Themelore kishte lënë Sekiraqën të mbrohej në liri pas dënimit për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, por pas vendimit të Apelit në maj 2024, Sekiraqa nuk është kthyer në paraburgim dhe vazhdon të mbetet në arrati.

Po ashtu, dëshmitari Haxhi Mazreku dëshmoi se kushëriri i tij, Nezir Mazreku, mbronte fshatin dhe nuk ishte bashkëpunëtor i pushtetit serb. Ai përshkroi përpjekjet e Nezirit për të mbrojtur komunitetin shqiptar dhe serb të fshatit, duke kundërshtuar akuzat për bashkëpunim me autoritetet serbe.

Në këtë seancë, prokurorja Silvia D’Ascoli kundërshtoi pranimin e dokumenteve të propozuara nga mbrojtja, duke argumentuar se nuk ishin të dobishme për gjykatën. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, njoftoi se trupi do të vendosë më vonë për pranimin e tyre.

Go to TOP