Norvegjia e mbështet Kosovën në aspiratën e saj të integrimeve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim të dërguarin special të Mbretërisë së Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, i cili është duke e përmbyllur detyrën e tij në këtë rol, Haakon Blankenborg, dhe të dërguarin e ri special të Mbretërisë së Norvegjisë për këtë rajon, Eirik Nestas Mathisen.

Bëhet e ditur se Konjufca e uroi Eirik Nestas Mathisen-in për detyrën e tij të re dhe i dëshiroi sa më shumë suksese. Ai u shpreh i bindur se vendet tona do të vazhdojnë të ruajnë marrëdhëniet e shkëlqyera, me synimin për t’i thelluar ato gjithnjë e më shumë.

“Në takim u diskutuan çështje të integrimeve evropiane, si rrugë e patjetërsueshme dhe aspiratë e Republikës së Kosovës, që kërkon angazhim të vazhdueshëm të institucioneve të vendit tonë, si dhe mbështetje të aleatëve dhe vendeve mike. Kryetari Konjufca shprehu mirënjohjen e tij ndaj shtetit Norvegjez për mbështetjen dhe kontributin në drejtim të Kosovës, duke potencuar se mbështetja e Norvegjisë ndaj vendit tonë vazhdon të jetë shumë e rëndësishme, sidomos në kontekstin e pushtimit të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe të ndërhyrjeve të saj destabilizuese në Ballkanin Perëndimor përmes vendeve që e mbështesin atë”, thuhet në njoftimin e zyra për informim e Kuvendit.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Haakon Blankenborg dhe Eirik Nestås Mathisen e falënderuan kryetarin Konjufca për pritjen dhe u shprehën se shteti i Norvegjisë e mbështet Kosovën në aspiratën e saj të integrimeve, si dhe u pajtuan për nevojën e rritjes së mëtejshme të bashkëpunimit në sfera të ndryshme midis vendeve tona. /Kosova.info/

Go to TOP