Nobelisti  Muratov jep  medaljen në ankand, parat për të ndihmuar refugjatët ukrainas 

Kryeredaktori i Gazetës Ruse të Re, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov, vendosi ta shesë në ankand medaljen e fituar me atë çmim, në mënyrë që paratë e marra t’u dërgohen refugjatëve ukrainas.

“Nova Gazeta dhe unë kemi vendosur që çmimin Nobel për Paqen në vitin 2021 t’ia dorëzojmë Fondit për Ndihmë Refugjatëve nga Ukraina. Janë më shumë se dhjetë milionë prej tyre. Kërkoj nga shtëpitë e ankandeve të përgjigjen, për të nxjerrë në shitje këtë çmim të njohur për mbarë botën”, ka thënë Muratov në faqen e asaj medie.

Muratov dhe Nova Gazeta kërkuan një armëpushim urgjent në Ukrainë, shkëmbim të të burgosurve, kthimin e trupave të të vdekurve, sigurimin e korridoreve dhe ndihmës humanitare dhe kujdesin për refugjatët.

Muratov gjithashtu bëri thirrje për ndihmë dhe mbështetje për Nova Gazetën si një botim “që merret me gazetarinë e vërtetë” në një vend ku qeveria “vazhdimisht dëshiron të ndalojë diçka”, duke shtuar se gazetarët e saj nuk kanë frikë të përhapin të vërtetën./KI

Go to TOP