Një shtetas i huaj alivanoset te një objekt në zonën industriale, vdes më pas në QKUK
Një shtetas i huaj ka vdekur në QKUK, pasi ai fillimisht ishte alivanosur në një objekt në zonën industriale në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai ka thënë se policia kishte pranuar informatën për rastin rreth orës 10:00.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent ndërkohë që viktima ishte dërguar në QKUK”, ka thënë Borovci.
Vdekja e tij ishte konstatuar pak më vonë nga stafi mjekësor në QKUK.
“Rreth orës 11:15 nga ana e mjekëve në QKUK, është konstatuar vdekja e viktimës, i gjinisë mashkullore, rreth 55 vjeç, shtetas i huaj”, shtoi tutje Borovci.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.
Policia në koordinim me prokurorin e shtetit po trajton rrethanat e ngjarjes duke proceduar hetim mbi vdekjen.
Po ashtu policia nuk e ka bërë të ditur se cilit shtet i përket.