NISMA Socialdemokrate: Presidentja të mos zvarrisë vendimin, vendi ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja

NISMA Socialdemokrate ka reaguar lidhur me situatën politike në vend duke e vlerësuar atë si një ngërç të paprecedentë institucional, që sipas tyre është rezultat i mungesës së vullnetit politik për marrëveshje dhe vendimmarrje të përgjegjshme. Sipas partisë, përpjekjet për zgjatjen e pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik po e thellojnë krizën.

“Në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja”, thuhet në reagimin e NISMA-s duke theksuar se në takimin e fundit me Presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike e kanë shprehur qartë dhe zyrtarisht këtë qëndrim.

NISMA i bën thirrje Presidentes së Republikës që të respektojë vullnetin e subjekteve politike, tashmë të deponuar zyrtarisht, dhe të mos bëhet pjesë e “zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese”.

“Roli i Presidentes është të garantojë unitetin kushtetues dhe funksionimin demokratik të shtetit, jo ta shtyjë vendin drejt bllokadës”, përfundon reagimi i NISMA Socialdemokrate. /Kosova.info/


Go to TOP