Muhaxhiri: Propozimi i Konjufcës, lojë politike bizare e Kurtit

Sociologu dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri, vlerëson se propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që Glauk Konjufca të jetë mandatar i ri për kryeministër të Kosovës, është “një akt tjetër i parodisë së (Albin) Kurtit dhe partisë së tij”, në procesin e krijimit të institucioneve.

Duke iu referuar deklaratave të udhëheqësve të Lëvizjes Vetëvendosje , Muhaxhiri i tha Radios Evropa e Lirë se ky propozim nuk ka bazë në realitetin politik.

“Nëse vërtet e konsiderojnë këtë si kompromis, atëherë ky vendim është dashur të merret shumë më herët dhe jo pasi u dëshmua që Lëvizja Vetëvendosje nuk është as afër që t’i sigurojë 61 votat (e domosdoshme për votimin e Qeverisë) në Kuvend”, theksoi Muhaxhiri.

Ai e cilësoi propozimin e Vetëvendosjes si “krejtësisht absurd”, përderisa nuk e ka dhënë ndonjë ofertë ndaj partive ish-opozitare – Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – në mënyrë që të sigurojë shumicën e nevojshme të votave për Qeverinë e re.

Pa kompromise, sipas tij, “riformatimi i kërkesës së Vetëvendosjes, i propozimit të mandatarit të ri për kryeministër, nuk ka asnjë gjasë të ketë sukses dhe është vetëm humbje kohe”.

Muhaxhiri e sheh propozimin e emrit të Konjufcës, më shumë si “lojë bizare politike” për qëllime elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje, me synimin për t’i nxjerrë keq partitë ish-opozitare.

“Është vetëm një etapë tjetër e popullizmit të skajshëm, sepse Kurti tenton t’i prekë emocionalisht qytetarët e Kosovës dhe të krijojë bindjen se ai po bën kompromis. Por, ky nuk është kompromis. Nuk ka logjikë që i gjithë pushteti qeveritar t’i falet (nga ish-opozita) Lëvizjes Vetëvendosje, nëse ajo nuk arrin që në mënyrë politike, me aleanca ta krijojë shumicën e thjeshtë prej 61 votave të deputetëve”, thekson Muhaxhiri.

Ai shtoi se nuk pret ndonjë përgjigje pozitive nga partitë ish- opozitare lidhur me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje.


Go to TOP