Nikolla: Procesi i Berlinit në Tiranë, rikonfirmim i kontributit në rajon
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, u shpreh se kryesimi nga Shqipëria i Procesit të Berlinit përgjatë vitit 2023 po rikonfirmon kontributin e vendit, si faktor stabiliteti dhe evropianizimi në rajon.
Në konferencën parlamentare “Roli i parlamentit në Procesin e Berlinit”, Nikolla ka theksuar se samiti i 16 tetorit është një ngjarje prestigjioze dhe domethënëse për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas saj, bashkëpunimi dhe integrimi rajonal është parakusht i kurorëzimit me sukses të rrugëtimit tonë evropian.
“Procesi i Berlinit vitin që vjen mbush një dekadë të suksesshme. Gjatë kësaj dekade dhe këtij procesi, në Ballkanin Perëndimor kemi filluar që të ardhmen të mos e projektojmë nëpërmjet errësirës e paragjykimeve të së kaluarës, por këtë të fundit ta ndriçojnë me dritën e të ardhmes së përbashkët në familjen evropiane. Në emër të kësaj të ardhme evropiane, duhet të ngrihemi dhe po ngrihemi mbi mëritë e trashëguara”, ka deklaruar ajo.
Nikolla theksoi se integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar, mbipartiak. Sipas saj, “konsensusi politik e parlamentar mbi integrimin mbështetet nga konsensusi i gjerë qytetar, publik e mediatik”.
“Nuk e ekzagjeroj kur pohoj se mbështetja popullore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është më e madhe se e çdo populli tjetër në rajon e më gjerë. Etja popullore e qytetarëve shqiptarë, por edhe të rajonit për t’iu bashkuar familjes evropiane është më e madhe se pengesat që mund të ngrihen nga forca që nuk e duan destinacionin perëndimor të vendeve tona. Prandaj, në emër të saj, ne në Shqipëri po përshpejtojmë reformat zhvillimore, demokratizuese dhe integruese”, ka deklaruar ajo. /Kosova.info/
