Ngritët aktakuzë ndaj katër personave, dëmtuan buxhetin me 800 mijë euro

Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, dy prej të cilëve janë zyrtarë nga Ministra e Arsimit dhe dy nga një kompani private, të cilët në bashkëveprim kanë dëmtuar Buxhetin e Kosovës në një vlerë mbi 800 mijë euro.

“Të akuzuarit N.S., B.B. (zyrtare të MAShT-it) dhe V.B. e M.S., (pronarë të kompanive), për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”,  “Shmangia nga tatimi” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, të pandehurat N.S. dhe B.B., në cilësinë e zyrtareve të MASHT-it, gjatë implementimit të kontratave “Furnizim me Teknologji Informative për nevoja të MASHT-it”, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë vepruar jashtë autorizimeve zyrtare dhe jashtë kompetencave të tyre reale, në atë mënyrë qe me dashje direkte dhe me qëllim që të përfitojë dobi pasurore Operatori Ekonomik, i tejkalojnë kompetencat e tyre si dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare.

Me këtë rast të pandehurit, kanë nënshkruar dhe lejuar dokumentacione për pagesa duke tejkaluar 30 % e kontratave publike kornizë që parasheh Ligjin e Prokurimit Publik, ku si pasojë kompanisë i kanë sjellë dobi materiale dhe me këtë i kanë shkaktuar dëm të madh Buxhetit të Kosovës, me saktë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Andaj, sipas prokurorisë, shuma e llogaritur në total që i është bërë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës është prej 807,293.36€.

“Ndër tjerash, të pandehurit N.S., B.B. dhe M.S., gjatë procesit të furnizimit me pajisje teknologjike të Universitetit Publik në Gjilan, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve si dhe duke i fshehur faktet e sjellin në lajthim personin tjetër që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, përkatësisht Buxhetit të Republikës së Kosovës, ashtu që kanë krijuar dhe nënshkruar dokumentacion me qëllim të duplifikimit të Urdhërpagesës, ku bazuar në këto Urdhërpagesa janë ekzekutuar pagesat për të dytën herë për pajisjet që tani më janë dërguar dhe paguar”, njofton Prokuroria.

Të pandehurit V.B. dhe M.S., ngarkohen gjithashtu me veprat penale “Shmangia nga tatimi” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, sipas KPRK-së.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë, ka propozuar që gjykata të konfiskojë dy banesa te blera më 2018 në vlerë prej 102,500.00 euro dhe 84,000.00 euro, dobi pasurore këto të fituara me vepër penale, si dhe të shqiptojë dënim plotësues,ndalimi i ushtrimit të profesionit, i veprimtarisë ose detyrës për të pandehurat N.S. dhe B.B. /Kosova.info/

Go to TOP