Ngjarja tragjike në Nju Jork ku vdiqën aktori shqiptar dhe gruaja e tij, çfarë panë dëshmitarët

Një ngjarje e rëndë tragjike ka ndodhur në Nju Jork, të shtunën në mëngjes.

Media amerikane “New York Post” raporton se aktori shqiptar Florind Belliu, 35-vjeç, e ka hedhur nga ballkoni i apartamentit bashkëshorten e tij Ornelën, 28 vjeçe, e pastaj është hedhur edhe vetë. 

Tragjedia ka ndodhur në ndërtesën Cruger Ave, në Pelham Parkway South në Morris Park, jashtë Mosholu- Pelham Greenway.

Kur policia ka arritur në vendin e ngjarjes, të dy bashkëshortët ishin të vdekur.

Çifti ishin prindër të dy fëmijëve të mitur, 6 dhe 2 -vjeç, dhe Ornela ishte shtatzanë, në pritje të fëmijës së tretë.

Aktori Florind Belliu dhe bashkëshortja e tij, Ornela Belliu, jetonin prej disa vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kërkimet në internet rezulton se Belliu ka punuar në një agjenci të shitjes së pasurive të patundshme në New York.

Frank Mussumeci, një punëtor ndërtimi, tha se një koleg i tij i ka parë trupat e viktimave menjëherë pasi janë përplasur në tokë, transmeton illyria.

“Ai ishte duke pirë kafe pranë portës së rrugës kur dëgjoi një ‘bum’, si një copë e madhe çeliku që u përplas në tokë. Pastaj e dëgjoi një fëmijë duke bërtitur ‘mama, mama’. Ai shikoi mbi portë dhe pa dy trupa atje”, tha ai.

Policia po zhvillon hetime për të zbuluar arsyet që e shtynë çiftin të ndërmarrin këtë akt tragjik dhe rrethanat në të cilat ndodhi ai.

Një nga fqinjët e çiftit tha se ata i ka parë gjithmonë bashkë dhe asnjëherë nuk kishte vënë re diçka që nuk shkonte. Megjithatë, ai tha se burrin e shihte shpesh të zemëruar, ndërsa bashkëshortja e tij ishte e qetë.

Bashkëshortja e mirëmbajtësit të ndërtesës, Shadie Perkaj, tha se çifti Belliu dukeshin të qetë.

“Ishin shqiptarë, si ne. I kam parë gjithmonë duke blerë gjëra për shtëpinë, çdo ditë së bashku, me dy fëmijët. Nuk e dinim se midis tyre kishte diçka që nuk shkonte”, tha ajo.

Perkaj tha se nga nëna e Florind Belliut mësoi se ai e kishte ditëlindjen pikërisht të shtunën.

“Sot e kishte ditëlindjen. Më tha nëna e tij. Ai sapo kishte folur me mamanë e tij, në mëngjes”, tha Perkaj.

Një punonjës ndërtimi, Harold Johnson tha se me çiftin ishte takuar të premten rreth orës 22:30 dhe I pa pyetur nëse gjithçka ishte në rregull. Johnson tregon se përpara se çifti të transferohej në pallat, burri kishte kërkuar t’i hiqeshin kangjellat e dritareve, por Johnson i kishte thënë se nuk mund ta bënte këtë pasi ata kishin fëmijë të vegjël.

“M’u duk sikur ishte i zemëruar, por nuk më tha asgjë. Vetëm e tërhoqi gruan e tij dhe vazhdoi”, tregoi Johnson.

Një burim brenda policisë i tha gazetës se burri “mund të ketë pasur një problem me shëndetin mendor” që ka çuar në tragjedi.

Go to TOP