Nga misioni i analistit në sekserizëm mediatik!

Shkruan: Emanuel Demaj

Në një vend ku gazetaria duhej të ishte shtylla e katërt e demokracisë, në Kosovë ajo është degraduar në një arenë ku shpesh më shumë prodhohet helm sesa e vërteta. Disa figura që e quajnë veten “analistë” nuk kanë ndërtuar kurrë një emër mbi profesionalizmin, integritetin, apo përpjekjen për të ngritur vetëdijen qytetare. Përkundrazi, ata janë bërë të njohur për një gjuhë shpesh të ndyrë, për plot urrejtje, shpifje, akuza të pabazuara dhe fushata të mirëfillta linçimi publik të gjitha të ambalazhuara si “liri e shprehjes”.

Askush nuk e mohon rëndësinë e lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike, por kjo liri nuk është sinonim i gënjeshtrës, nuk është e drejtë për të shkatërruar emra, familje, biznese apo edhe interesin shtetëror, për interesa personale ose për t’i shërbyer axhendave të errëta të pronarëve mediatikë. Në Kosovë, kjo liri është keqpërdorur në përmasa të pakontrolluara , shumë herë me pasoja të rënda, të pashlyeshme.

Këta “analistë” shpesh të afërt me ndonjë grup interesash, ndryshojnë qëndrim varësisht nga pazaret që bëjnë pas kamerave, janë parë duke bërë kritika të pamëshirshme ndaj pushteteve, për t’u shndërruar papritur në përkrahës të verbër sapo “rregullojnë hesapet”. Kur nuk marrin atë që kërkojnë, shpërthejnë në sulme të paepura ndaj individëve, partive, dhe ndonjëherë edhe vetë strukturave të shtetit. Ata që nuk bëhen pjesë e këtij cirku, shpallen armiq, sulmohen në mënyrën më të ulët, publikisht, në mënyrë të njëanshme dhe pa të drejtë përgjigjeje.

Në këtë mes, përgjegjësia bie edhe mbi bosët e mediave të ashtuquajturit “pronarë” të të vërtetës, në fakt, shumë prej tyre janë biznesmenë që e përdorin median si armë presioni dhe pazar politik, jo si mjet informimi, ku nuk ka më ndarje mes lajmit dhe qëndrimit personal; gjithçka është bërë një përzierje e helmuar ku shikuesi mbetet i mashtruar, ndërsa e vërteta bëhet viktima e parë.

Edhe krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë kanë qenë objekt i dëmshëm i këtyre deklaratave të përsonave të papërgjegjshme, të dhëna, insinuata apo akuza që janë lëshuar nëpër studio televizive janë përdorur më pas nga prokuroritë ndërkombëtare për të ndërtuar narrativa të dëmshme dhe askush nuk është mbajtur përgjegjës për këtë dëm të pallogaritshëm.

Sot, të njëjtët persona që kanë ndezur flakë urrejtjeje dhe kanë shpifur pa asnjë fakt, paraqiten sërish në ekranet televizive si “zë i arsyes”, shesin moral sikur nuk kanë qenë vetë pjesë e katrahurës që e kanë krijuar dhe kjo është fyese për qytetarin, për viktimat e shpifjeve, dhe për vetë idenë e gazetarisë.

Go to TOP