Nesër bllokohet segmenti Prishtina Mall-Veternik për garën “Kosova në Lëvizje”
Federata Atletike e Kosovës (FAK) ka njoftuar se më 22 mars 2026 do të organizohet gara ndërkombëtare e vrapimit rrugor “Kosova në Lëvizje”.
Sipas njoftimit, gara do të zhvillohet në segmentin e rrugës nacionale N2, në relacionin Prishtina Mall – Veternik – QMI, nga ora 09:00 deri në 11:00, për çka është siguruar edhe pëlqimi nga Ministria e Infrastrukturës.
Policia e Kosovës, në asistim të organizatorëve, do të bëjë bllokimin e përkohshëm të rrugës nga Prishtina Mall deri në Veternik dhe anasjelltas gjatë kësaj periudhe kohore.
Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë mirëkuptim dhe të shmangin këtë segment rrugor duke shfrytëzuar rrugë alternative deri në përfundimin e garës. /Kosova.info/
