Në QKUK realizohet me sukses heqja e një tumori me përmasa të mëdha
Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale tejet komplekse për largimin e një tumori intratorakal me përmasa të mëdha, rreth 13 me 10 centimetra, ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Sipas SHSKUK-së, pacientja R.B., e lindur më 1974, kishte qenë më herët nën trajtim nga kardiologët për probleme kardiake, të cilat më pas u vërtetua se ishin shkaktuar nga presioni i masës tumorale mbi zemrën, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e saj normal.
“Pas kryerjes së ekzaminimeve të detajuara radiologjike dhe vlerësimeve të shumta mjekësore, ekipet shëndetësore vendosën që rasti të trajtohej përmes ndërhyrjes kirurgjikale”, thuhet në njoftim.
SHSKUK thotë se operacioni u realizua me sukses nga ekipi i specializuar i kirurgëve torakalë, në bashkëpunim të ngushtë me anesteziologët, instrumentarët dhe stafin mbështetës të klinikës.
“Tumori, i cili kishte penguar funksionimin normal të mushkërive dhe zemrës, u hoq plotësisht gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Gjendja shëndetësore e pacientes pas operacionit është stabile, ndërsa ajo po vazhdon të monitorohet nga stafi mjekësor në përputhje me protokollet standarde të kujdesit post-operativ”, thuhet tutje në njoftim. /Kosova.info/
