Në prag të zgjedhjeve, BE-ja thotë se Rusia po përhap dezinformata

Reuters

Qeveritë evropiane thonë se Rusia po përhap dezinformata përpara se Bashkimi Evropian t’i mbajë zgjedhjet për Parlamentin Evropian nga data 6 deri më 9 qershor.

Ato thonë se veprimet e Moskës dhe të aktorëve pro Kremlinit janë pjesë e një fushate më të gjerë ndërhyrjesh, të krijuar për t’i diskredituar qeveritë evropiane dhe për ta destabilizuar BE-në.

Moska, në anën tjetër, i hedh poshtë akuzat.

Si duket ndërhyrja e dyshuar ruse?

Akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e BE-së, në prag të zgjedhjeve, përfshijnë dezinformimin apo manipulimin e së vërtetës, thonë ekspertët.

Sipas tyre, kjo bëhet duke filluar nga përforcimi i teorive tashmë ekzistuese të konspiracionit deri te publikimi i videove të falsifikuara dhe gënjeshtrave në faqet ‘doppelganger’ – të krijuara për t’u dukur identike me faqet e vërteta.

Republika Çeke tha se ueb-faqja e lajmeve voiceofeurope.com ka udhëhequr një operacion të ndikimit prorus në Evropë. Një politikan dhe biznesmen ukrainas, por pro-rus, i identifikuar si Viktor Medvedchuk, i ka financuar në mënyrë të fshehtë operacionet e ndikimit të kësaj faqeje.

Belgjika, në anën tjetër, tha se zyrtarë rusë kanë paguar ligjvënës të Parlamentit Evropian për të promovuar propagandë ruse në Evropë.

Si u përgjigjet Rusia akuzave për ndërhyrje?

Rusia mohon se përhap dezinformata. Ajo thotë se Perëndimi është i përfshirë në një luftë informacioni në shkallë të plotë, që përfshin pretendime të rreme, të krijuara për ta shkatërruar reputacionin e Rusisë dhe për ta paraqitur atë si armike.

Zyrtarët rusë thonë se Perëndimi është bërë aq jotolerant, saqë refuzon të pranojë çdo pikëpamje që bie ndesh me narrativën mbizotëruese dhe ka ndaluar transmetimin e disa mediave shtetërore ruse, si agjencia e lajmeve RIA Novosti dhe gazetat Izvestia dhe Rossiyskaya Gazeta.

Çka janë ueb-faqet e rreme dhe ‘doppelganger’?

Ueb-faqet e rreme, apo ‘deepfakes’, janë media sintetike, në të cilat një person në një fotografi ose video ekzistuese, zëvendësohet me dikë tjetër duke përdorur teknika të inteligjencës artificiale. ‘Deepfakes’ mund të duken shumë reale dhe kjo ka çuar në përhapjen e dezinformatave dhe të propagandës.

Në zgjedhjet në Sllovaki më 2023 u shfaq një regjistrim zëri i Michal Simeckas, udhëheqësit të partisë Sllovakia Progresive, me sa duket duke diskutuar për manipulimin e votave. Regjistrimi ishte i rremë.

‘Doppelganger’ është emri që i atribuohet një fushate dezinformomi, që përfshin krijimin e ueb-faqeve të rreme, që ngjajnë shumë me pamjen e burimeve ekzistuese të lajmeve.

Ueb-faqet e shënjestruara përfshijnë gazetat e përditshme Le Figaro dhe Die Welt, si dhe ato të Ministrisë së Jashtme franceze dhe Ministrisë së Brendshme gjermane.

Një artikull në një faqe interneti të klonuar të Ministrisë së Jashtme franceze pretendonte se Franca po përgatiste një taksë për t’i ndihmuar përpjekjet luftarake të Ukrainës. Rreth 200 llogari në Facebook u krijuan për shpërndarjen e këtij informacioni.

Çka thonë udhëheqësit e BE-së për ndërhyrjen e dyshuar ruse?

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Evropa përballet me një zgjedhje të ashpër: të jetë e fortë ose t’u nënshtrohet autoritarëve.

“A duam një Evropë të fortë, që lufton për vlerat dhe demokracinë tonë? Apo, a do të lejojmë që demokracitë tona të rrëmbehen nga marionetat e autoritarëve?”, pyeti ajo.

Si i rregullon BE-ja mediat sociale?

Ligji i ri i Shërbimeve Digjitale i BE-së kërkon heqjen e shpejtë të përmbajtjes së paligjshme dhe më shumë informacione mbi mënyrën se si krijohet përmbajtja.

Platformat, si Facebook, YouTube e TikTok, kanë ndërmarrë masa duke krijuar ekipe për të luftuar dezinformimin, abuzimin me inteligjencën artificiale dhe ndikimin e fshehtë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian.

Në muajin prill, Komisioni Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së, ka nisur hetime të Facebookut dhe Instagramit, për shkak të shqetësimeve se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të luftuar dezinformimin.

Go to TOP