Në njoftimin për njohjen, Kenia i referohet Pacollit si emisar i posaçëm i presidentes Osmani
Kenia të mërkurën u bë shteti më i ri që e njohu pavarësinë e Kosovës. Njoftimin për këtë njohje e dha ish-presidenti Behgjet Pacolli, por si iu referua shteti afrikan atij në një njoftim për njohjen e Kosovës?
Departamenti i Shtetit për Punë të Jashtme i Kenias, përmes një shkrimi të publikuar të mërkurën në mbrëmje në rrjetin X, Pacollit i referohet si emisar i posaçëm i presidentes Vjosa Osmani.
“Kenia e ka njohur Kosovën si shtet”, fillon postimi i Departamentit të Shtetit për Punë të Jashtme.
“Shpallja e pavarësisë nga Kosova më 17 shkurt 2008 e mori mbështetjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) më 2010. Kenia e ka njohur Kosovën në interes të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, integritetit territorial dhe mbështetje të fuqizimit të marrëdhënieve me shtetet në Ballkan” – shkruhet më tej.
Pacolli përmendet në paragrafin vijues: “Në këtë drejtim, presidenti William Ruto sot (e mërkurën) u takua me emisarin e posaçëm të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Behgjet Pacolli, në Shtëpinë Shtetërore në Nairobi.”
Kenya has recognised Kosovo as a State.
— State Department for Foreign Affairs | Kenya (@ForeignOfficeKE) March 26, 2025
Kosovo's declaration of independence on 17th February, 2008, received the endorsement of the International Court of Justice (ICJ) @CIJ_ICJ in 2010.
Kenya has recognised Kosovo in the interest of international peace and security,… pic.twitter.com/L45ewdgnqP
Përmes një shkrimi në rrjetin “Facebook”, presidentja Osmani e publikoi vendimin zyrtar të Kenias për ta njohur Kosovën, dërguar nga presidenti Ruto, dhe pati një “falënderim të veçantë” për ish-presidentin dhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollin.
“Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli”, shkroi Osmani.
