Bajrami: Ligji e detyron anëtarët e Qeverisë të japin dorëheqje para certifikimit të zgjedhjeve

Deputetja e zgjedhur nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar duke rikujtuar një detaj ligjor të rëndësishëm lidhur me certifikimin e zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili pritet të ndodhë sot në orën 16:00.

Bajrami ka cituar Nenin 26, pika 1 të Ligjit 08/L-117 për Qeverinë, të miratuar në vitin 2022, i cili përcakton se:  “Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.”

Ky ligj nënkupton se të gjithë ministrat dhe zyrtarët qeveritarë që kanë fituar mandate si deputetë duhet të japin dorëheqje nga postet e tyre ekzekutive para certifikimit të zgjedhjeve.

Ende mbetet për t’u parë nëse të gjithë anëtarët e Qeverisë që janë zgjedhur deputetë do ta respektojnë këtë dispozitë ligjore. /Kosova.info/


Go to TOP