Në fund të dhjetorit merret vendimi për tarifat e reja të ujit

Autoriteti Rregullativ i Ujit(ARrU) është në shqyrtim të kërkesave të kompanive rajonale të ujësjellësve për caktimin e tarifave të reja trevjeçare për shërbimet e ujit.

Lule Aliu nga Autoriteti ka thënë për KosovaPress, se janë të përkushtuar që tarifat e ujit të mos ngritën.

“Akoma nuk mund të prononcohemi se a do të ketë apo jo ngritje të çmimit të ujit. Ne si Autoritet jemi të përkushtuar që tarifat çmimin e ujit mos me i ngritë. Vendimi i autoritetit ndodhë pas diskutimeve publike që i kemi dhe do t’i marrim parasysh nëse ka komente dhe diskutime.

Në fund të dhjetorit ne si autoritet e bëjmë përcaktimin e tarifave dhe po kështu në fund të këtij muaji lëshohen urdhëresat e tarifave për tre vjetët e ardhshme. Jemi duke folur për tre vjetët e ardhshme, pasi që me ligjin për shërbimet e ujit, autoriteti është i obliguar që t’i përcaktoj tarifat në baza tre vjeçare.

Për vitin 2022, 2023 dhe 2024 kompanitë i paraqesin planet e tyre për investime. Këto pastaj janë duke u shqyrtuar prej autoritetit edhe në fund nxjerrët vendimi”, thekson ajo.

Sa a ka kërkesa deri tash nga kompanitë për ngritje të çmimit të ujit, Aliu thotë se për kompaninë rajonale të Gjakovës dhe asaj të Prishtinës do të mbahet dëgjimi publik për përcaktimin e tarifave.

“A ka kërkesa për ngritje? Në këto tri kompanitë ku kemi qenë deri tash, në kompaninë ‘Hidromorava’ e Gjilanit, në kompaninë Ujësjellësit ‘Mitrovica’ dhe në kompaninë ‘Hidrodrini’ të Pejës, në këto tri kompani nuk do të ketë dhe nuk ka kërkesë për ngritje të çmimit”, thotë ajo.

Derisa ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa thotë për KosovaPress, se përkundër vështirësive që i kanë në kompani, kanë kërkuar që tarifat e ujit të mbesin të njëjta edhe për tri vitet e ardhshme

“Ky vit është vit i tarifave, ne më 1 dhjetor do të kemi dëgjim publik për tarifa dhe shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë qytetarët të jenë prezent për diskutimet për tarifat.

Ne kemi kërkuar që tarifat pak e shumë të mbesin të njëjta, këto që janë me të cilat ne kemi mundësi ti realizojmë investimet kapitale. Autoriteti Rregullaitv është duke i shqyrtuar dhe nuk mund ta konfirmojmë se do të ketë rritje ose jo. Ne kemi kërkuar që tarifat të mbesin kështu siç janë.

Mund të ketë margjina të vogla të ndryshimeve, sepse ARRU ka një strategji tjetër, por unë jam i bindur që nuk do të ketë ndryshime të çmimeve për xhepin e konsumatorëve”, thotë ai.

Sipas Xhafës, tarifat aktuale janë tejet e ulëta dhe qytetarët aktualisht paguajnë 0.48 euro cent për 1 mijë litra ujë.

Go to TOP