Ndërpritet seanca ndaj ish-kryeshefit të PTK-së, do të ftohet grupi i ekspertëve që përpiloi ekspertizën
Seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ish kryeshefit të PTK-së, Agron Mustafa, i cili po akuzohet për lidhje të kontratës së dëmshme për rastin “PAYKOS”, është ndërprerë. Gjykata do ftojë grupin e ekspertëve që e kanë përpiluar ekspertizën financiare e 31 majit 2022.
Në seancën e kaluar, gjykatësi Sabit Sadikaj kishte obliguar palën e dëmtuar, në këtë rast Telekomin e Kosovës, që ta dorëzojë në gjykatë një kopje të një vendimi të Tribunalit të Arbitrazhit të Zvicrës, ashtu që i njëjti t’iu dorëzohej palëve.
Ky vendim i Arbitrazhit, sipas mbrojtësit të të akuzuarit Mustafa, avokatit Driton Muharremi, ka ndërruar gjendjen faktike për 95%.
Ndërkaq, në seancën e sotme, pasi palët deklaruan se e kanë pranuar atë vendim, andaj avokati Muharremi propozoi që ky vendim të pranohej si provë.
Avokati tha se edhe pas analizimit të atij vendimi, mbrojtja mban qëndrimin e njëjtë, se i akuzuari Mustafa nuk ka bërë lidhje të kontratës së dëmshme.
Kundër këtij propozimi ishte prokurorja Ardiana Veseli, por jo edhe përfaqësuesit e palës së dëmtuar, Sanije Sahiti dhe Durim Ahmetaj.
Ndërkaq, avokati Muharremi propozoi të caktohet një ekspertizë e re nga një grup prej tre ekspertëve të pavarur.
Ky propozim u kundërshtua nga prokurorja Veseli dhe nga pala e dëmtuar, të cilët thanë se në këtë rast veçse ekziston një super-ekspertizë, e për të cilën avokati Muharremi tha se është bërë në kundërshtim me ligjin në Kosovë.
Lidhur me këtë, gjykatësi Sadikaj tha se në këtë fazë gjykata e refuzon propozimin.
Mirëpo, tha se të gjitha shkresat e lëndës, përfshirë tani edhe provën (vendimin e Arbitrazhit) do t’i ofrohen grupit të ekspertëve të cilët e kanë hartuar ekspertizën më 31 maj 2022.
Po ashtu, ai tha se njëri nga anëtarët e grupit do të ftohet edhe në gjykatë për të dhënë mendimin e tij si ekspert dhe se më pas palët do të kenë të drejtë edhe për propozime të tjera.
Gjykata Themelore në Prishtinë përmes vendimit të marrë më 5 mars 2024 e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Mustafës për rastin “PAYKOS”, e që dëmi i pretenduar ndaj Telekomit thuhet të jetë afër 7 milionë euro.
Kurse, Gjykata e Apelit më 14 gusht 2024 e ka refuzuar ankesën e paraqitur nga Mustafa, duke konfirmuar aktakuzën për lidhje të kontratës së dëmshme.
Ndryshe, për këtë çështje penale Themelorja më 9 janar 2024 ka mbajtur seancën fillestare, në të cilën i pandehuri Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila rezulton të jetë përpiluar më 3 maj 2023, i akuzuari Mustafa në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16 mars 2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që fillimisht ka lidhur kontratë – marrëveshje me Paykos L.L.C ku operatori ekonomik luan rolin e ndërmjetësuesit/distributorit të shitjes tek pala e tretë për shitjen e produkteve kryesisht mbushje elektronike dhe kode të gjeneruara elektronike për kartela gërvishtëse, çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë përfshirë edhe TVSH-në, ku provizioni total i shitjes ishte 9.7% të transaksionit.
Tutje, akti akuzues thotë se i akuzuari Mustafa me dashje dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm material Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”, ka nënshkruar vazhdimisht ankese shtesë ku secili lloj i provizionit që do të paguhet ndaj operatorit ekonomik i është shtuar përqindja në TVSH, duke e favorizuar kështu Paykosin në njërën anë e në anën tjetër e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.
Sipas akuzës, të dëmshme janë vlerësuar Aneksi II, III, V dhe VI, Memorandumi i vitit 2016 dhe Marrëveshja komerciale-bashkëpunimi-ofrimin e shërbimeve për lojë shpërblyese.
Me lidhjen e këtyre ankeseve-marrëveshjeve, akuza thotë se i akuzuari Mustafa me dije ka vepruar në dëm të ndërmarrjes që vazhdimisht i ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, ashtu që i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6 milionë e 796 mijë e 732 euro.
Me këto veprime, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 dhe 1.5 të KPRK-së.
Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila më 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tij dhe dy ish-drejtuesve tjerë të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion.
