NASA: Dy astronautët do të kthehen në Tokë me sondën e firmës SpaceX

NASA vendosi të mos i kthejë në Tokë dy astronautët e saj që shkuan në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor në muajin qershor. Në stacionin hapësinor tani ndodhen shtatë individë si dhe dy të astronautët amerikanë nuk kishin planifikuar të qëndronin për një kohë kaq të gjatë atje.

NASA tha se kthimi i astronautëve me sondën e firmës ‘Boeing’ është shumë i rrezikshëm. Sipas njoftimit, dy astronautët do të qëndrojnë në stacionin hapësinor deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, tetë muaj pas mbërritjes atje.

Njoftimi nga NASA se nuk do t’i kthejë në Tokë dy astronautët përmes sondës së kompanisë ‘Boeing’ pritet të dëmtojë më shumë reputacionin se sa anën financiare të saj.

Dikur simbol i fuqisë amerikane të inxhinierisë dhe teknologjisë, reputacioni i kompanisë ‘Boeing’ është dëmtuar që kur dy aeroplanë të tipit 737 Max u rrëzuan në vitin 2018 dhe 2019, duke shkaktuar vdekjen e 346 individëve.

Siguria e produkteve të kompanisë u shqyrtua sërish pas një problemi teknik në një aeroplan të modelit Max në muajin janar.

Drejtuesi i NASA-s, Bill Nelson tha se vendimi që sonda “Starliner” të kthehet pa njeri në bord është rezultat i përkushtimit ndaj sigurisë. Kompania ‘Boeing’ këmbënguli se sonda e saj është e sigurt pas disa testeve të kryera në hapësirë dhe në terren kohët e fundit.

Sonda e hapësirës përbën vetëm një përqindje të vogël të fitimeve të firmës ‘Boeing’, por transporti i astronautëve është angazhim i profilit të lartë, i ngjashëm me atë të prodhimit të avionëve për presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Që nga incidenti në vitin 2018, firma ‘Boeing’ ka humbur mbi 25 miliardë dollarë.

Në vitin 2014, NASA nënshkroi me firmën ‘Boeing’ një kontratë prej 4.2 miliardë dollarësh për ndërtimin e një mjeti hapësinor për dërgimin e astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Po ashtu, NASA nënshkroi një kontratë të ngjashme prej 2.6 miliardësh me firmën ‘SpaceX’. Sonda “Dragon” e kompanisë Space X ka marrë miratimin e NASA-s për dërgimin e astronautëve në hapësirë që në vitin 2020.

Një sondë e fundit e kompanisë SpaceX dërgoi më shumë ushqim dhe rroba për astronautët Wilmore dhe Williams për ta bërë më të rehatshëm qëndrimin e tyre në hapësirë.

Go to TOP