Nagavci: Dhunimi seksual gjatë luftës përbën një krim të rëndë
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, sot në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ku po bëhet shënimi i Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës “Ma kthe dritën”, tha se gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia e përdori dhunën seksuale si armë lufte.
“Ky është një fakt i dokumentuar nga raportet vendore e ndërkombëtare. Dëshmitë e të mbijetuarve dhe aktgjykimet e drejtësisë. Sot kur po shënojmë 14 prillin, këtë ditë të rëndësishme memoriale, jemi mbledhur bashkë këtu në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jo vetëm për të shënuar këtë ditë me moton “Ma kthe dritën” por edhe që përveç fjalimeve e gjesteve simbolike, të dëshmojmë se shteti ka përgjegjësi ndaj të mbijetuarve dhe viktimave të dhunës seksuale”, tha ajo.
Duke shtuar se ka përgjegjësi jo vetëm ligjore e institucionale, por ka edhe përgjegjësi njerëzore. Unë flas sot jo vetëm si politikane, por flas edhe si një grua e cila e di që heshtja nuk shëron e as nuk mbyll plagë.
“Por flas edhe si përfaqësuese e një subjekti politik i cili që në fillim të angazhimit të saj ka vendosur që kjo temë të mos mbetet në margjinë. Sepse dua të ritheksoj se Lëvizja Vetëvendosje, qysh kur është futur në parlament në mandatin e saj të parë, e ka ngritur zëshëm këtë temë. Falë përpjekjeve të vazhdueshme, u njoh ligjërisht kategoria e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë”, tha ajo.
Ajo tha se dhunimi seksual gjatë luftës përbën një krim të rëndë dhe një strategji të qëllimshme të përdorur nga Serbia me synim në nënshtrimin, frikësimin dhe dëmtimin e strukturës shoqërore të popullsisë civile. Pra qëllimi ishte i qartë: të poshtërohet populli, të thyhet fryma e tij, të shkatërrohen lidhjet familjare dhe komunitare.
“Por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin asnjëherë, sepse ju mbijetuat. Ju ishit zëri i shumë të tjerëve që ndoshta akoma nuk janë shprehur hapur dhe tani është radha e institucioneve e jonë si përfaqësues dhe e shoqërisë të tregojmë se jemi në lartësi të asaj mbijetese. Realiteti i gjithë denoncimeve që e kryen sulmime në Kosovë mbetet pjesë e pandashme e përjetësisë sonë kolektive dhe e kërkesës për drejtësi. Të nderuar të pranishëm, kur flasim për këtë kategori kaq të ndjeshme, detyra jonë si institucione dhe si shoqëri është në dy drejtime përgjegjësia institucionale ka marrë një dimension të veçantë në vitet e fundit republika e Kosovës ka avancuar në ndërtimin e mekanizmave për njohjen dhe mbështetjen e të mbijetuarve duke e përfshirë konsolidimin e procesit të njohjes dhe verifikimit të statusit të të mbijetuarve rritjen e pensionit të kësaj kategorie zgjatjen e afatit për verifikimin e statusit sepse trauma nuk njeh dhe nuk pyet për afatet burokratike disa prej tyre janë ende duke e gjetur guximin për të dalë para komisioneve dhe ne nga këtu themi se do t’ju presim”, tha ajo.
