Myftiu Tërnava propozon banesa për çiftet me katër apo më shumë fëmijë: Shteti duhet të veprojë ndaj rënies së natalitetit
Gjatë manifestimit qendror për festën e Kurban Bajramit, të mbajtur në xhaminë “Sulltan Fatih” në Prishtinë, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka dhënë një propozim të veçantë për qeverinë: t’u dhurohet nga një banesë çdo çifti që ka katër apo më shumë fëmijë.
“Shteti duhet të ketë strategji konkrete për ndihmë ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe sociale për këto familje dhe këta fëmijë, dhe çdo çifti, të cilët kanë katër e më shumë fëmijë, i propozoj qeverisë që t’ua dhurojë nga një banesë,” deklaroi Tërnava në hytben e tij të Bajramit.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për rënien e natalitetit në Kosovë duke e cilësuar këtë si një problem serioz me rrënjë të thella ekonomike dhe sociale.
“Në këto kohë, Kosova po përballet me një rënie serioze të natalitetit. Familjet e reja ngurrojnë të lindin më shumë se një apo dy fëmijë për arsye të ndryshme, shpesh ekonomike, por edhe për shkak të frikës dhe pasigurisë. Disa po migrojnë nga Kosova dhe vendet e tjera shqiptare, disa edhe në këtë kohë kur ne po flasim, në shtetet përreth nesh po asimilohen duke e humbur gjuhën shqipe si gjuhë të nënës,” tha ai.
Myftiu përmbylli mesazhin e tij duke theksuar rëndësinë e vlerave familjare dhe duke rikujtuar se feja islame inkurajon krijimin e familjeve të mëdha, me besimin se risku për ta është i garantuar nga Zoti. /Kosova.info/
