Kurti uron Kurban Bajramin: Të jemi zemërgjerë, të ndajmë dhe të angazhohemi për barazi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, dashurisë dhe barazisë në shoqëri.

“Gëzuar e me fat Kurban Bajramin për të gjithë besimtarët myslimanë! Pranë familjes, pranë të afërmve e më të dashurve tanë, e festojmë këtë ditë duke qenë zemërgjerë e duke shtuar solidaritetin,” tha Kurti në urimin e tij.

Ai shtoi se kjo festë është një kujtesë e vlerave themelore njerëzore duke përfshirë gatishmërinë për të dhënë dhe për të ndarë me të tjerët: “Kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri.”

Sipas Kurtit, Kurban Bajrami është edhe një thirrje për angazhim ndaj drejtësisë sociale: “Ajo është gjithashtu ftesë për secilën e secilin që të angazhohet për barazinë si fill të shoqërisë, e ku begatinë dhe mirëqenien i gëzojnë të gjithë.”

Në fund të urimit, Kryeministri shprehu dëshirën që kjo ditë të sjellë mbarësi dhe gëzim në çdo familje: “Uroj që kjo ditë t’ua gjejë zemrat e tryezat të mbushura përplot, dhe paçi mbarësi e mirësi, shëndet e lumturi sot e mot!”. /Kosova.info/

Go to TOP