Mustaf Bajrami e quan vëlla popullin turk dhe Erdogan/ Një vëllazëri e re me sunduesit e vjetër!

Postimi i fundit i Profesor Mustafe Bajramit, ku ai përshëndet ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe falënderon popullin turk dhe presidentin Erdogan, ka ngjallur shqetësim dhe tronditje në mesin e shumë shqiptarëve. Kjo përshëndetje ndaj një populli që për pesë shekuj sundoi dhe masakroi shqiptarët ngre pyetje serioze për kujtesën tonë historike dhe integritetin tonë kombëtar.

Si mund të quajmë “vëlla” një popull që për shekuj me radhë ka shkelur mbi të drejtat dhe dinjitetin e paraardhësve tanë? Një popull që na la pas me trauma dhe humbje të pallogaritshme. Profesor Bajrami, me deklaratat e tij, jo vetëm që tregon një mungesë të thellë respekti për historinë tonë, por edhe një servilizëm të papranueshëm ndaj një lideri autokratik si Erdogan, i cili ka dëshmuar një përbuzje të vazhdueshme për të drejtat dhe liritë demokratike.

Është e pafalshme që një intelektual të promovojë një mentalitet të tillë të nënshtrimit dhe harresës. Me këtë logjikë, pas njëqind vitesh, mos vallë do të arrijmë të quajmë “vëlla” edhe diktatorët që na kanë bërë keq në kohët më të errëta? A do të mbërrijmë të lavdërojmë edhe Millosheviqin për ndonjë akt të çastit, duke harruar masakrat dhe spastrimin etnik që kreu ndaj popullit tonë?

Shqiptarët kudo që janë, duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të ruajnë kujtesën historike. Nuk mund të lejojmë që e kaluara jonë e dhimbshme të harrohet kaq lehtë, dhe as të pranojmë glorifikimin e atyre që kanë kontribuar në vuajtjet tona. Na duhet të jemi të kujdesshëm në zgjedhjen e aleatëve dhe vlerave që promovojmë. Ndërtimi i objekteve fetare duhet të jetë një akt paqeje dhe respekti, jo një platformë për të ringjallur marrëdhënie të padëshiruara dhe të dëmshme për të ardhmen tonë kombëtare./ Kosova.info

Screenshot
Go to TOP