Musliu: Do të ketë gjoba për veturat që hyjnë në rrugën “Xhorxh Bush”
Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë, është hapur sot për qarkullimin e autobusëve, taksive dhe automjeteve të emergjencës. Nëse vozitësit e veturave të tjera do të hyjnë në këtë shesh, sipas zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, gjoba do të jetë 500 euro, ndërsa do t’u merret patentëshoferi për një vit.
Transporti publik, veturat emergjente dhe taksitë, kanë filluar qarkullimin në Sheshin “Xhorxh Bush”, në kryeqytet, pasi më shumë se një muaji bllokim për shkak të “Tregut të fundvitit”. Nga sot, për qarkullim në këtë rrugë do të lejohen vetëm autobusët e linjave 1, 3 dhe 4. Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, tha për Radio Kosovën se me rihapjen e Rrugës “Xhorxh Bush”, kanë vërejtur lirim të rrugëve të tjera në kryeqytet.
“Deri te ideja e hapjes së Rrugës “Xhorxh Bush” për transport publik e taksi, kemi ardhur nga rekomandimet e task-forcës dhe sektorit të mobilitetit, duke ditur se testimet të cilat i kemi bërë dhe në të njëjtën kohë kur është mbyllur Rruga “Xhorxh Bush”, me automatizëm ka pasur ngarkesë në rrugët ‘Bill Klinton’ dhe ‘Tirana’, me numër të madh të taksive dhe autobusëve. Prandaj, ideja është që për t’i liruar ato segmente rrugore, t’u mundësohet taksive dhe transportit publik që të hyjnë në Rrugën “Xhorxh Bush”, tha Musliu për Radio Kosovën.
Musliu bëri të ditur se do të ketë gjoba për veturat e tjera që hyjnë në rrugën “Xhorxh Bush”.
“Ditëve të fundit kemi pasur takime me drejtorinë e inspektimit dhe me Policinë e Kosovës, të cilët janë pjesë e grupit punues të task forcës. Pjesa e gjobave bie mbi domenin e policisë, ndërsa ne si drejtori e shërbimeve publike kemi vendosur sinjalistikën dhe shenjëzimet. Në momentin kur qytetarët bëjnë shkelje të rregullave të komunikacionit, atëherë pason dënimi prej Policisë së Kosovës, me sa më kujtohet është përmendur shuma prej 500 eurosh si dhe mundësia e marrjes së patentëshoferit për një vit.”
Bizneseve që operojnë në këtë rrugë, sipas Musliut, u lejohet furnizimi vetëm para orës 7:00 të mëngjesit, ndërsa njoftoi se do të kenë qasje edhe veturat që shfrytëzojnë parkingun nëntokësor vetëm për hyrje e jo për dalje. Musliu bëri të ditur se Rruga “Xhorxh Bush”, mund të kthehet në shesh, në momentin kur të jetësohet projekti i rrugës njëkahore, qarkorja e brendshme e kryeqytetit. Ndërkohë, Komuna ende nuk ka dalë me një vendim final për unazën e brendshme.
