Murati: Ne ofruam marrëveshje dhe kompromise, radha e Nismës të veprojë

Pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputeti i VV-së, Hekuran Murati, tha se dështimi i sotëm i seancës është se partitë e tjera, në vazhdimësi po e shkelin Kushtetutën duke mos marrë fare pjesë në votim. Murati, deklaroi se VV ka bërë ofertat e nevojshme politike, përfshirë edhe për qeverisje, siç ka kërkuar Nisma Socialdemokrate.

“Ne kemi ofruar marrëveshje dhe kompromise, por tash i takon Nismës të bëjë hapin e radhës. Konstituimi është obligim i të gjithë deputetëve. Shfrytëzoj rastin që t’i ftoj sepse çdo votë “Për” na ofron drejt qëllimit, do të mjaftonte që secili deputet e subjekt ta kryerjë obligimin kushtetues që të ndihmojë në konstituimin e Kuvendit”, tha Murati.

Ai ftoi të gjitha partitë që të votojnë për konstituimin, duke theksuar se “çdo votë ‘për’ na afron drejt qëllimit.”

“Ishte kjo një seancë që u mbajt një ditë para se të përfundonte afati që ishte vendosur nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e fundit. Me keqardhje mund të them që as sot nuk pati rezultat, dhe kjo kryekëput për shkak se partitë opozitare në vazhdimësi po e shkelin Kushtetutën duke mos marrë fare pjesë në votim. Për më tepër, ata po shkelin edhe Rregulloren e Kuvendit duke vazhduar të qëndrojnë edhe pas ndërprerjes së seancës”, tha ai,

Gjithashtu, sipas tij, kur ftohen të japin propozimet e tyre, ata insiston që të ketë debat parlamentar, ndërkohë që kjo gjë qartë është e ndaluar me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Shpeshherë kritikohet dhe akuzohet edhe kryesuesi i seancës për ndërprerjen e fjalës, kur në fakt vetë Rregullorja e Punës së Kuvendit, e votuar edhe nga partitë opozitare në mandatin e kaluar, nuk e lejon një gjë të tillë. Rregullorja nuk lejon debat në këtë fazë, por kërkon që të procedohet sa më parë me zgjidhjen e situatës dhe me konstituimin e Kuvendit”, tha Murati.


Go to TOP