Murati akuzon opozitën: Po e pengon me çdo kusht votën e diasporës; shembulli i Rumanisë tregon të kundërtën

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të partive opozitare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke i akuzuar ato se po bëjnë gjithçka për ta vështirësuar dhe penguar votën e diasporës. Ai solli shembullin e Rumanisë, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian me diasporë të madhe, e cila në zgjedhjet e sivjetme presidenciale organizoi plot 965 vendvotime jashtë vendit, vetëm për t’u mundësuar qytetarëve të saj të votojnë sa më afër vendbanimeve të tyre.

Sipas Muratit, vetëm në Itali Rumania ka pasur 161 vendvotime, në Spanjë 147, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 108. Ai theksoi se nuk është e mundur që të gjitha këto vendvotime të kenë qenë të vendosura brenda ambasadave dhe konsullatave, pasi një numër i madh prej tyre janë hapur në salla konferencash, palestra sportive dhe hapësira të tjera të përkohshme, të marra në përdorim vetëm për ditën e votimit.

Murati theksoi se një model i tillë është propozuar edhe për diasporën e Kosovës, në mënyrë që votuesit jashtë vendit të kenë vendvotimet sa më pranë dhe të mund të votojnë fizikisht, ashtu si në vendet e BE-së. Por sipas tij, partitë opozitare në KQZ po veprojnë në drejtim të kundërt.

Ai kritikoi faktin që opozita ka kufizuar pjesëmarrjen në votim brenda ambasadave dhe konsullatave në vetëm 1,000 persona duke u justifikuar me hapësirat e vogla. “Kjo do të thotë se në Gjermani, ku jetojnë mbi 500 mijë bashkatdhetarë tanë, vetëm rreth 6 mijë persona – pra rreth 1% – do të mund të votojnë nëpër ambasada dhe konsullata”, tha Murati.

Më tej, ministri akuzoi opozitën se ka kundërshtuar edhe ofertën e MPJD-së për të siguruar hapësira shtesë jashtë ambienteve zyrtare të ambasadave duke përdorur cinizmin e tyre ndaj mundësisë së votimit në “salla dasmash”. Për Muratin, kjo qasje paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtës kushtetuese të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë.

“E drejta kushtetuese e bashkatdhetarëve po shkilet duke ua pamundësuar atyre që të votojnë fizikisht – ashtu siç tashmë bëjnë diaspora e shteteve anëtare të BE-së”, deklaroi ai.

Në fund, Murati u shpreh se opozita po bën gjithçka që të pengojë votën e diasporës duke e vështirësuar procesin në vend se ta lehtësojë. /Kosova.info/


Go to TOP