Munishi pas përjashtimeve nga RTK: Kush nga ne është i radhës? Po bie demokracia
Gazetarja Pranvera Munishi ka reaguar ndaj vendimeve për largimin e disa kolegëve të saj nga ekrani i RTK-së duke i quajtur ato shenja të censurës sistematike dhe rrezik për demokracinë në vend.
Munishi theksoi se kolegët nuk janë larguar për shkak të mangësive profesionale, por sepse kanë refuzuar t’i binden urdhrave politik.
“Kolegët e mi u larguan nga ekrani, jo sepse kanë mangësi profesionale, por sepse nuk iu bindën urdhrave politik. Ata janë gazetarë dhe redaktorë që gjithmonë kanë kundërshtuar ndërhyrjet, që kanë mbrojtur hapësirën e lirë të debatit dhe të vërtetës në RTK”, shkroi ajo.
Sipas saj, këto vendime arbitrare janë më shumë sesa padrejtësi individuale. “Janë shenjë e qartë e një rreziku më të madh – censurës sistematike. Kur heshtet gazetari i lirë, nuk preket vetëm ai, por cenohet e drejta e qytetarëve për t’u informuar pa diktat”, shtoi Munishi.
Duke e cilësuar situatën si paralajmërim të zymtë për të gjithë gazetarët, ajo ngriti një pyetje retorike: “Sot, përjashtimi i tyre është një paralajmërim i zymtë për të gjithë ne. Nesër, kush nga ne është i radhës?”.
Munishi paralajmëroi se goditja ndaj gazetarisë profesionale prek jo vetëm një profesion, por vetë lirinë dhe demokracinë në vend. /Kosova.info/
