Bajrami pas largimit nga RTK: Asnjëherë s’i kam shërbyer politikës, karrierën time e ndërtova me mund e djersë

Gazetari Valon Bajrami ka reaguar pas njoftimit për largimin e tij nga ekrani i RTK-së duke quajtur këtë veprim pjesë të një “beteje hakmarrjeje”. Ai theksoi se gjatë 25 viteve në gazetarinë televizive nuk i ka shërbyer asnjë subjekti politik dhe nuk ka përdorur RTK-në për agjenda partiake.

“Karrierën time e kam ndërtuar me mund e djersë. Në qershor i kam bërë 25 vjet punë në gazetari televizive. Asnjëherë në jetën time nuk i kam shërbyer ndonjë partie politike. Përkundrazi, gjatë periudhës 2003-2012, kur raportoja nga veriu për RTV21, bashkë me kolegët kameramanë kemi rrezikuar edhe jetën për të sjellë informacion të drejtë, objektiv dhe profesional”, shkroi Bajrami.

Ai iu drejtua edhe atyre që e kanë kritikuar duke i quajtur militantë partiakë: “Ju kisha lutur, asnjëherë mos e përmendni emrin tim kur as që më njihni! Sepse aq vite sa keni ju jetë, unë i kam përvojë pune në gazetari”.

Në përmbyllje, gazetari shtoi se kjo situatë është vetëm fillimi i një beteje të padrejtë, por shprehu bindjen se e vërteta do të triumfojë: “Ka filluar një betejë hakmarrjeje, por me ndihmën e Zotit luftën do ta fitojmë”. /Kosova.info/


Go to TOP