Muja fajëson opozitën për krizën e rrymës: Le të japin përgjigje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja e akuzoi Partinë Demokratike të Kosovës për krizën energjetike dhe për punësimet që janë bërë në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Sipas Mujës, kriza energjetike ka ndodhur në vitin 2021 para se Vetëvendosje të vinte në pushtet.

“Transaksionet janë të vitit 2016, ndërsa kriza energjetike ka ndodhur në vitin 2021 dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë në pushtet në vitin 2016 e as në vitin 2019. Nëse ka ndonjë përgjigje vërtetë duhet opozita të japin atë përgjigje, se kush ka blerë energji”, tha ai.

Tutje Muja në Tëvë1 tha se KEK-un kryesisht e ka menaxhuar PDK-ja, dhe ata mund të japin përgjigje se çfarë kanë blerë e çfarë kanë shitur prej vitit 2016.

“Në KEK kryesisht ka qeverisur PDK-ja ose njerëzit kryesorë kanë qenë të PDK-së, sa unë e kujtoj edhe drejtor i prokurimit ka qenë, po edhe dikur drejtor ka qenë Nijazi Thaçi. Domethënë nuk kemi lidhje ne me KEK-un në atë kohë, mbase këta mund të japin ca përgjigje se çfarë kanë blerë e çfarë kanë shitur. Çfarë ka të bëjë Vetëvendosja në 2016”, tha ai.

Muja tutje tha se Vetëvendosje ka kërkuar që të hetohen të gjitha procedurat që nga viti 2006.

Duke shtuar se shumë shpejt do të bëhet çdo investim i nevojshëm lidhur me këtë çështje.

“Ne kemi kërkuar që të shikohen të gjitha procedurat që nga fillimi mirëpo opozita nuk po pranojnë me pretekstin që nuk ka nevojë por këta vetë janë duke ngrehur hetimin në vitin 2016. Por shumë shpejt do të hetohet çdo investim se a është bërë apo jo në rrjet, çdo kantatë që është lidhur në KEK-un prej vitit 2006 dhe çdo punësim do të hetohet deri në vitin 2022 kur jemi ne në pushtet”, deklaroi deputeti i VV-së sonte në emisionin “Këndi i Debatit” me Dukagjin Maliqi në Tëvë1.

Go to TOP