Moska njofton se sulmet ukrainase lanë të vrarë 28 persona

Zyrtarët rusë në rajonet ukrainase që kontrollohen pjesërisht nga Moska, Kherson dhe Luhansk, njoftuan se të paktën 28 persona u vranë si pasojë e sulmeve të Kievit, ndërsa Rusia dhe Ukraina vazhduan sulmet e ndërsjella me dronë të shtunën.

Një sulm ukrainas të premten në qytetin e vogël Sadove në Kherson la të vrarë 22 vetë dhe plagosi 15 të tjerë, njoftoi Vladimir Saldo, guvernatori i caktuar nga Moska në këtë rajon.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass citoi Saldo të shprehej se forcat ukrainase fillimisht goditën qytetin me predha të prodhimit francez dhe më pas sulmuan përsëri me sistemin e raketave të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara, HIMARS.

Agjencia shtetërore e lajmeve Interfax citoi autoritetet e caktuara nga Rusia në rajonin pjesërisht të pushtuar Luhansk se 6 vetë vdiqën si pasojë e një seri sulmesh me raketa nga Ukraina. Guvernatori i caktuar nga Moska në këtë rajon Leonid Pasechnik tha se 60 persona mbetën të plagosur.

Ukraina nuk komentoi rreth sulmeve.

Ndërkohë vazhduan sulmet e ndërsjella me dronë mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se Ukraina lëshoi një seri dronësh gjatë natës të premten mbi të gjithë territorin rus.

25 dronë u njoftua se u shkatërruan në rajonet ruse Kuban dhe Astrakhan dhe ne Krimenë e aneksuar nga Moska.

Të shtunën në mëngjes, autoritetet ruse njoftuan për herë të parë se rrëzuan një dron ukrainas mbi rajonin e Osetisë Veriore, në Kaukazin Verior, rreth 900 kilometra larg vijës së frontit në rajonin ukrainas Zaporizhia, të pushtuar pjesërisht nga rusët.

Forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase njoftuan se rrëzuan 9 nga 13 dronët e nisur nga forcat ruse në rajonet Zaporizhia, Dnipropetrovs dhe Kharkiv.

Guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk Serhiy Lysak tha se sulmet me dronë dëmtuan ndërtesa banimi dhe objekte tregtare.

Go to TOP