Pak orë para fillimit të masave të reciprocitetit, lëshohet alarm në veri të Mitrovicës
Pak orë para fillimit të masave të reciprocitetit, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka nisur takimin me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, në Rashkë.
Raportohet se në këtë takim, pjesëmarrës është kryetari i Listës Serbe dhe ministri për Komunitete e Kthim i Kosovës, Goran Rakiq, si dhe nënkryetarët e Listës Serbe, Igor Simiq e Dalibor Jevtiq.
Ndërsa, rreth orës 18:00, është lëshuar edhe alarmi i qytetit në veri të Mitrovicës.
Ai konsiderohet si alarm i qytetit, mirëpo në veri përdoret si sinjalizim për t’u mbledhur.
Kjo, mund të ndërlidhet me vendimin e Qeverisë që do të nis të zbatohet, pas mesnate.
Petkoviq, të dielën tha se përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të nisin krijimin e Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, tha Petkoviq.
Këtë të diel, Këshilli i Sigurisë, ka mbajtur mbledhje, në të cilën u diskutua për dy vendimet e Qeverisë lidhur me targat serbe dhe dokumentet e Serbisë, vendime që hyjnë në fuqi më 1 gusht.
“Institucionet e Kosovës janë të bashkuara dhe të përkushtuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë”, u tha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas Qeverisë së Kosovës, institucionet kanë zhvilluar të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve.
Ekzekutivi shtoi se këto dy vendime janë në funksion të sigurisë, të vendosjes së rendit publik, ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit.
Dy vendimet e Kosovës që hyjnë në fuqi me 1 gusht
Nga 1 gushti, qytetarët që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – do të mund të riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës).
Në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, llogaritet qarkullojnë 10.000 makina me targa me emra të qyteteve të Kosovës, të tilla si PR (Prishtinë), KM (Mitrovica e Kosovës) e të tjera.
Po ashtu, nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia.
Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.
