2 milionë funte pagë javore, Ronaldo mund të tundohet nga ofertat e klubeve nga Arabia Saudite

Cristiano Ronaldo raportohet se mund të marrë oferta të majme nga Arabia Saudite.

Portugezi ishte i lidhur ngushtë me një largim nga Manchester Unitedi në afatin kalimtar të verës, por nuk ia doli assesi të gjente një klub të ri.

Përveç se ishte i lidhur me disa klube evropiane, për Ronaldon u raportua se interesim shprehen edhe klubet arabe, Al Hilal dhe Al Nassr.

“The Sun” ka raportuar se klubet në fjalë janë ende duke monitoruar situatën e 37-vjeçarit, i cili me “Djajtë e Kuq” ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2023, teksa në marrëveshje ekziston edhe opsioni i zgjatjes edhe për një tjetër vit.

Klubet nga Arabia Saudite thuhet se janë të interesuara për të bërë lëvizje qysh në afatin kalimtar të dimrit, pasi financat për ta nuk janë ndonjë problem.

Ndërkaq, “The Mirror” pretendon se Ronaldo mund të shqyrtojë ofertat nëse bëhet përfundimisht e qartë se ai nuk do të jetë në gjendje të kthehet në formacionin bazë të Manchester Unitedit.

Raporti shton se pesë herë fituesi i “Topit të Artë” mund të pranojë që koha e tij në majat e futbollit evropian ka marrë fund dhe ai mund të pajtohet që të fitojë një pagë javore prej 2 milionë funtesh në Arabinë Saudite.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Arabisë Saudite, Yasser Al-Misehal, së fundi për “The Athletic” kishte folur në lidhje me ardhjen e mundshme të Ronaldos. Ai nuk sheh një arsye pse skuadrat nga Liga Pro Saudite nuk mund ta tundojnë ish-lojtarin e Real Madridit dhe Juventusit.

“Ne do të donim të shihnim një lojtar si Cristiano Ronaldo të luante në ligën saudite. Do të sillte një reagim të madh pozitiv dhe do të ishte një lajm i madh për të gjithë. Jam i sigurt që të gjithë i dinë arritjet dhe rekordet e Cristiano Ronaldos, por edhe si një lojtar që është një model i shkëlqyer. Mendoj, ‘Pse jo?’. Jam i sigurt se do të ishte një marrëveshje shumë e shtrenjtë, sigurisht. Por, ne mund të shohim që klubet tona marrin të ardhura më të larta në dy vjetët e fundit. Ne kemi parë tashmë disa lojtarë të mëdhenj që kanë luajtur në Premierligë të vijnë në ligën saudite. Më pëlqen Cristiano Ronaldo si lojtar dhe do të doja ta shihja të luante në Arabinë Saudite. Nuk do të ishte një transferim i lehtë për një klub saudit apo edhe për të, por ne do të donim ta shihnim atë apo edhe disa lojtarë të tjerë të të njëjtit nivel”, kishte deklaruar ai. 

Go to TOP