Meta emëron anëtaren e Gjykatës së Lartë, hapet rruga për plotësimin e Kushtetueses
Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta dekretoi sot gjyqtaren Arbena Ahmeti si anëtare të Gjykatës së lartë. Pas këtij emërimi, kjo gjykatë bëhet me 10 nga 19 anëtarët që e përbëjnë atë. Në këtë mënyrë, ajo ka tanimë, kuorumin e nevojshëm për thirrjen e mbledhjes së posaçme e cila ka kompetencën për të zgjedhur tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të kompletohej kështu me të gjithë anëtarët e saj.
Në rastin e zgjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që thirret nga kryetari i saj, konsiderohet e vlefshme nëse marrin pjesë të paktën gjysma e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Muajin e kaluar Gjykata e Lartë dështoi të shqyrtonte 4 kandidatura që kishin kaluar të gjithë filtrat paraprak, për vendin vakant të ish gjyqtarit të Kushtetueses Fatmir Hoxha, pikërisht për mungesën e kuorimit.
Gjyqtarja Ahmeti u propozua javën e kaluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative. Ajo ishte kandidaturë e vetme për këtë funksion. Në njoftimin për vendimin e sotëm, presidenti Ilir Meta nënvizon se “në mbështetje të Kushtetutës, dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë, me qëllim përfundimin pa vonesë të procedurave për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve”.
Zonja Ahmeti ushtron aktualisht detyrën në Gjykatën Administrative të Tiranës. Në nëntor të vitit të kaluar ajo kaloi me sukses procesin e rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Vendimi i këtij institucioni nuk u ankimua nga Komisionari publik, dhe në këtë mënyrë rikonfirmimi në detyrë, ka marrë formë të prerë.
Në fund të muajit janar, Gjykata e Lartë rishpalli thirrjen për vendin vakant të kryetares aktuale të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, mandati së cilës ka mbaruar prej disa vitesh, por që ligji e lejon të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësimin e saj. Nga 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, 3 zgjidhen nga parlamenti, 3 nga presidenti, dhe 3 nga Gjykata e lartë.
Emërimi i sotëm nga zoti Meta i anëtares së dhjetë të Gjykatës së Lartë u përshëndet menjëherë nga ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim si dhe nga ambasadori i Delegacionit evropian Luigi Soreca.
“Ne mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për zbatimin e reformës në drejtësi, përfshirë emërimin e sotëm të gjyqtarit të 10-të në Gjykatën e Lartë, nga Presidenti. Kjo rrit funksionalitetin e Gjykatës së Lartë dhe mundëson që kjo Gjykatë të emërojë një gjyqtar për Gjykatën Kushtetues”, shkroi në një postim në Twitter ambasadorja amerikane.
We welcome continued cooperation among institutions to implement justice reform, including today’s appointment by Presidency of the 10th judge to High Court. This increases functionality of High Ct, also enables High Ct to appoint a judge for Const’l Ct. https://t.co/GP43v7i4Zk
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) February 16, 2022
Ndërsa ambasadori Soreca u shpreh se “mirëpret emërimin e sotëm nga presidenti Ilir Meta të anëtarit të 10-të të Gjykatës së Lartë, e cila arrin tanimë kuorumin për të emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për konsolidimin e Reformës në Drejtësi”, përfundon zoti Soreca postimin e tij në Twitter.
We welcome today's appointment by Pres. @ilirmetazyrtar of the 10th member of the High Court, which has now reached the quorum to appoint Constitutional Court members. This is another important step in the consolidation of #justicereform🇦🇱!
— Luigi Soreca🇪🇺 (@LSorecaEU) February 16, 2022
More info👇https://t.co/pMGB2P2vIO
