Kosova

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që sërish të vaksinohen kundër COVID-19.

Me anë të një njoftimi thuhet se vaksinimi kundër COVID-19 do të vazhdojë të bëhet edhe gjatë ditëve të fundjavës, të shtunën dhe të dielën, në të gjitha qendrat e vaksinimit në Kosovë.

“Prandaj, MSh u bën thirrje qytetarëve që të caktojnë terminë për marrje të vaksinës, me që ka mjaft terminë të lira, përfshirë edhe ditët e fundjavës në të gjitha qendrat e vaksinimit në komunat e Kosovës. Sipas vendimeve të mëhershme të MSh, në Kosovë mund të vaksinohen personat e moshës mbi 16 vjeç si dhe fëmijët e moshës 12-15 vjeçe me indikacione mjekësore, këta të fundit me vaksinën PfizerBioNTech”.

“Duke u bërë thirrje që krahas vaksinimit të zbatohen masat në fuqi kundër COVID-19, MSh rithekson rëndësinë e vaksinimit si mënyrën më efikase për të parandaluar përhapjen e mëtejme të COVID-19 dhe për të evituar shtrimet e qytetarëve të tjerë në spitale nga format e rënda të COVID-19 dhe për të ulur numrin e rasteve të vdekjeve nga COVID-19”, thuhet në njoftimin e MSh-së.