Ministria e Shëndetësisë pranon pajisjet mjekësore të dhuruara nga Qeveria Japoneze për ndërtimin e kapaciteteve kundër COVID-19

Pajisje mjekësore në vlerën prej 810,000 euro u dhuruan sot nga Qeveria e Japonisë, në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve spitalore në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe shërbimeve shëndetësore për përballimin e pandemisë.

Me arritjen e këtyre pajisjeve është implementuar plotësisht marrëveshja për dhënien e pajisjeve, e nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Japonisë.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë, z. Arben VITIA dhe I ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, z. Mitsunori OGASAWARA.

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben VITIA shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë, siç është populli japonez dhe qeveria e Japonisë. Në përpjekjet tona përgjatë këtyre 15 muajve, ja kemi dalur t’i përgjigjemi situatës falë angazhimit të mjekëve dhe infermierëve, të cilët nuk u dorëzuan, në shërbim të shëndetit publik.

Z. Mitsunori OGASAWARA theksoi se Japonia ka qëndruar përkrah Kosovës gjatë gjithë kohës së vështirë të COVID-19 dhe do të qëndrojë e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në forcimin e sektorit të saj shëndetësor

Nga mbështetja e Japonisë janë dhuruar 7 monitorë shtrati, 3 Termografë, 2 aparate me ultratinguj dhe 1 radiografi mobile.

Pajisjet do të shpërndahen nga sot, kryesisht në spitalet e përgjithshme, si dhe klinikat e ShSKUK-së. /Kosova.info/

Go to TOP