Ministria e Drejtësisë insiston se Projektligji për Këshillin Prokurorial është në përputhje me Komisionin e Venecias
Ditë me parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka dërguar për vlerësim në Komisionin e Venecias projektligjin më ndryshime të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Derisa organizatat që monitorojnë proceset e drejtësisë thonë se projektligji i ri ka nene në kundërshtim më Kushtetutën e Kosovës nga Ministria e Drejtësisë thonë se i tërë versioni i ri është bërë në përputhje me këtë institucion ndërkombëtar.
Është njëri nga ligjet më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë, por Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, po del të jetë jo adekuat.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është pajtuar me kërkesën e BE-së, që për këtë projektligj të kërkohet edhe opinioni i Komisionit të Venecias.
Por megjithatë, ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, bashkëpartiake e Konjufcës, insiston se versioni i ri i projektligjit është në përputhje më rekomandimet e komisionit në fjalë.
Flamur Pireva nga ministria e Drejtësisë ka thënë se “Sa i përket dërgimit të Projektligjit për KPK-në nga ana e kryetarit Konjufca, kjo çështje mbetet në diskrecionin e Kryetarit të Kuvendit se si kryetari ka vlerësuar, por ne e vlerësojmë që versioni i ri i Projektligjit për KPK-në është punuar në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”.
