Millosheviq: Marrëveshja nuk është njohje e Kosovës, shmanget normalizimi i marrëdhënieve

Profesori i asociuar në Fakultetin Juridik në Serbi, Sërgjan Millosheviq, vlerësoi se qeveria dhe opozita në Serbi po i shmangen normalizimit të marrëdhënieve me shqiptarët dhe se është e qartë se marrëveshja e arritur në Ohër nuk po zbatohet.

Duke folur për marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, Millosheviq në emisionin “Iza vesti” ka thënë se është evidente se kjo marrëveshje nuk paraqet njohje të Kosovës, raporton N1.

“Shpresoj se Marrëveshja nuk ka dështuar, por është më se e dukshme që nuk ka filluar të zbatohet. Koha po ikën dhe pikëpamja ishte se duhet zbatuar urgjentisht. Por tani për tani nuk është kështu”, ka thënë Millosheviq.

Ai beson se në Serbi nuk ka vetëdije tek përfaqësuesit e qeverisë se sa e rëndësishme është marrëveshja për procesin e integrimit evropian.

“Gjithçka duket se jo vetëm që nuk ka vullnet për ta zbatuar atë, por ka një vullnet dhe dëshirë për të mos zbatuar dhe për të zgjatur procesin”, shtoi ai.

Ai thekson se kjo gatishmëri nuk ekziston as te partitë opozitare dhe se kjo është situata në tërë Serbinë dhe se “normalizimi i marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve nuk është prioritet për askënd në vendin e tij”.

“Qeveria dhe opozita janë duke llogaritur me marrëveshjen. Disa për të qëndruar në pushtet, dhe të tjerë për ta zëvendësuar atë pushtet me ndihmën e saj”, përfundoi ai.

Go to TOP