‘Milani mund ta fitojë titullin këtë sezon’
Ish-futbollisti i njohur italian, Maurizio Ganz, ka deklaruar se AC Milan ka potencialin për të fituar titullin e kampionit këtë sezon.
Komentet e tij vijnë pas fitores në derbin e Milanos, ku kuqezinjtë triumfuan 1–0 ndaj Interit, falë golit vendimtar të Christian Pulisic.
Me këtë fitore, Milan ngjitet në vendin e dytë në Serie A, vetëm dy pikë larg liderit AS Roma. Për Ganz, situata aktuale është shumë premtuese.
“Mendoj se Milani mund ta fitojë Scudetton. Problemi i vetëm momentalisht është vështirësia në ndeshjet kundër skuadrave që luftojnë për mbijetesë, aty kanë humbur shumë pikë,” tha ai për “RAI Radio”.
Ganz theksoi se Milani duhet të tregojë më shumë kur përballet me rivalët më të fortë, ndërsa mungesa e angazhimit në garat e kupës mund të jetë një përparësi në garën për titull.
Ai komentoi edhe ndryshimin e roleve të sulmuesve modernë, duke marrë si shembull Pulisic dhe Rafael Leao.
“Milani luajti me dy sulmues jashtë roleve të tyre natyrale. Dikur sulmuesi mendonte vetëm për golat, ndërsa tani duhet të vrapojë pas kundërshtarit, të rikuperojë topin dhe të prishë ndërtimin e lojës së parë. Është çështje energjie — rolet e tyre kanë ndryshuar. Shënojnë më pak sepse kanë shumë detyra gjatë ndeshjes”, theksoi Ganz.
